Peshkatarët nga Kosova “pushtojnë” brigjet e Liqenit të Kukësit, por ndotja mbetet shqetësim

Liqeni i Kukësit dhe brigjet e tij po kthehen në një destinacion gjithnjë e më të preferuar për peshkatarët amatorë nga Kosova. Ditët e fundit, dhjetëra anëtarë të Shoqatës së Peshkatarëve Sportivë të Ferizajt kanë “pushtuar” bregun e liqenit për të shijuar natyrën dhe për të ndjekur pasionin e tyre për peshkimin.
Kryetari i shoqatës, Naim Behluli, thekson se bukuritë natyrore dhe shumëllojshmëria e peshqve janë arsyet kryesore që i tërheqin ata në këtë zonë. Megjithatë, ai ngriti shqetësimin për ndotjen në rritje të liqenit. “Ka nevojë për më shumë ndërgjegjësim për ta ruajtur dhe mirëmbajtur liqenin, i cili kohët e fundit është ndotur ndjeshëm nga mbeturinat urbane,” tha Behluli.
Edhe peshkatari Gazmend Osmani ndan të njëjtin shqetësim, duke theksuar se ndotja jo vetëm që zbeh përvojën e peshkimit, por edhe rrezikon biodiversitetin e zonës.
Pavarësisht përpjekjeve për vendosjen e rrjetave në grykëderdhjen e lumit Drin, të cilat synojnë të ndalin mbeturinat që vijnë nga Kosova në drejtim të Shqipërisë, ndotja në liqenin e Fierzës vazhdon të jetë prezente. Kjo situatë ka ndikim të dukshëm negativ në pamjen ekologjike të gjithë Kaskadës së Drinit.
Peshkatarët apelojnë për më shumë masa mbrojtëse dhe ndërgjegjësim publik për të ruajtur këtë pasuri natyrore që ofron jo vetëm relaks, por edhe një mundësi të artë për zhvillimin e turizmit sportiv.