Dënohet me 32 vite burg shqiptari që hapi zjarr ndaj tre të rinjve në Athinë – një e kaluar kriminale e ngarkuar

Athinë – Një dënim i rëndë me 32 vite burg është shqiptuar të hënën nga Gjykata e Jurisë së Athinës ndaj 39-vjeçarit shqiptar Nardi Idrizi, i njohur dhe me emrin Fatbardh Idrizi, për një sulm të armatosur ndaj tre të rinjve nga Kreta në dhjetor 2023 në zonën e Gazit.
Ngjarja tronditëse ndodhi kur tre të rinjtë – dy vëllezër dhe shoku i tyre nga Malia – ndodheshin në Athinë për të festuar një festë beqarie. Pas një debati të çastit me pasagjerët e një fuoristrade, situata degjeneroi në dhunë. Autori hapi zjarr duke plagosur tre të rinjtë në kokë, disa prej të cilëve edhe pas shpine. Për fat, ata mbijetuan.
Pas ngjarjes, Idrizi ishte në kërkim për muaj të tërë, deri pak para nisjes së gjyqit, kur u përfol për një dorëzim të mundshëm pas një dëmshpërblimi financiar ndaj viktimave. Megjithatë, dy prej të plagosurve nuk arritën të ishin të pranishëm në gjykim, duke e lënë vendimin në duart e gjyqtarëve.
Gjykata shqiptoi një dënim total prej 32 vitesh burg për Idrizin, nga të cilat 20 vite do t’i vuajë realisht.
E kaluara kriminale
Nardi Idrizi, i lindur në Durrës dhe banues në Vlorë, është një emër i njohur për autoritetet shqiptare dhe greke. Ai është dënuar më parë me 13 vjet e 4 muaj burg nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda për disa vepra penale, përfshirë vrasje të mbetur në tentativë, grabitje të armatosura dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake.
Në vitin 2012, pas një grabitjeje në Vlorë, ai hapi zjarr ndaj një patrulle policie. Gjithashtu, në vitin 2020 ai përfitoi ulje të paligjshme dënimi, çka nxiti një hetim të gjerë për shpërdorim detyre në burgun e Fierit.
Në prill 2024, Idrizi u shpall sërish në kërkim nga autoritetet greke si pjesë e një grupi që merrej me trafikim sendesh të vjedhura.
Një familje me precedentë
Vëllai i tij, Leonard Idrizi, ish-anëtar i bandës së njohur “Coles” në Vlorë, u vra vite më parë, ndërsa Nardi mori emrin e tij pas vdekjes. Një tjetër vëlla, Joni Idrizi, u arrestua në shkurt 2024 nga policia greke, pasi kërkohej në Shqipëri për thyerje të masës së sigurisë. Ai është dënuar më parë për grabitje të armatosura në banka, kazino dhe karburante.