Përurohet rruga ndërkufitare Gorozhup–Pogaj: Një urë e re lidhëse mes Kosovës dhe Shqipërisë

Është përuruar sot rruga ndërkufitare Gorozhup (Has i Prizrenit) – Pogaj, një projekt i realizuar në kuadër të marrëveshjeve të bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.
Në ceremoninë e përurimit morën pjesë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, prefekti i Qarkut Kukës, Dritan Baji, si dhe kryetari i Bashkisë Has, Miftar Dauti, përfaqësues të dy qeverive dhe deputetë nga të dyja anët e kufirit.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti u shpreh se kjo rrugë ka rëndësi të madhe për banorët lokalë, turizmin malor dhe bashkëpunimin kulturor midis dy vendeve.
“Kjo është një arterie vendimtare për qarkullimin e lirë dhe shkëmbimet ndërmjet dy republikave tona të të njëjtit komb. Kjo është një pjesë e vogël e borxhit që kemi ndaj këtij komuniteti që ka dhënë shumë për zhvillimin ekonomik dhe historinë kombëtare,” tha Kurti.
Kryeministri theksoi se rruga 3.7 kilometra e gjatë, me një vlerë investimi prej afër 1 milion euro, lidh fshatrat Gorozhup dhe Pogaj, të cilët kanë pasur lidhje historike, familjare dhe kulturore. Ai shtoi se përveç lidhjes shpirtërore e historike me Shqipërinë, duhet forcuar edhe lidhja fizike përmes infrastrukturës.
Ndërkaq, ministri Durmishi kujtoi se para dy vitesh është nënshkruar protokolli i bashkëpunimit për tri rrugë ndërkufitare: Kërstec–Pakishtë–Zapot, Dobrunë–Blinishtë dhe Gorozhup–Pogaj. Ai paralajmëroi vazhdimin e projekteve të tjera të përbashkëta, përfshirë Pogaj–Kishaj, Kishaj–Cahan dhe Cahan–Krumë.
“Qeveria e Kosovës është e interesuar të vazhdojë bashkëpunimin me Republikën e Shqipërisë në shumë projekte të rëndësishme për këtë zonë,” deklaroi Durmishi.
Ambasadori shqiptar në Kosovë, Petrit Malaj, e cilësoi këtë rrugë si një urë që bashkon dy anët e një kombi.
“Rruga Gorozhup–Pogaj është më shumë sesa asfalt apo gurë; është testament i lidhjes sonë historike dhe shpirtërore që ka mbijetuar në shekuj,” theksoi ai.
Ndërsa kryetari i Bashkisë Has, Miftar Dauti, tha se përurimi i kësaj rruge përmbush ëndrrën disavjeçare të bashkimit të trojeve hasjane.
“Duhet të kontribuojmë që të bashkojmë çdo arterie që lidh Hasin me Hasin dhe Kosovën me Shqipërinë, sepse vetëm kështu hiqen barrierat e së kaluarës,” u shpreh Dauti.
Rruga e re pritet të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen e qytetarëve, shkëmbimet tregtare dhe zhvillimin e turizmit ndërkufitar, duke forcuar edhe më tej lidhjet ekonomike dhe kombëtare mes dy vendeve.



