Përplasjet politike dhe tensionet etnike në Serbi, incidente në Baçki Petrovac dhe Novi Sad

Gjatë muajit të fundit, në disa qytete të Serbisë janë përshkallëzuar tensionet midis përkrahësve dhe kundërshtarëve të pushtetit, me përplasje që kanë kaluar nga fyerjet e hedhja e vezëve deri te dhuna fizike. Incidenti më i fundit u regjistrua më 10 gusht në Vërbas, afër Novi Sadit, ku dy grupime të ndara nga policia shkëmbyen fyerje dhe hodhën shishe plastike dhe vezë ndaj njëri-tjetrit.
Megjithatë, më shumë vëmendje të opinionit publik tërhoqi incidenti në Baçki Petrovac më 9 gusht. Pas tërheqjes së kordoneve policore, një grup burrash sulmoi verbalisht dhe grisën fotografi të ekspozitës që paraqiste protesta studentore në Vojvodinë. Ekspozita ishte organizuar nga qytetarë sllovakë, duke shkaktuar shqetësim të komunitetit sllovak në këtë rajon.
Petar Holik, nga Lëvizja Qytetare opozitare “Bravo! Novi Sad”, akuzoi Partinë Përparimtare Serbe (SNS) për ndarjen dhe polarizimin e shoqërisë serbe, duke përdorur urrejtjen dhe ndjenjat kombëtare për të mbajtur pushtetin. Ai tha se disa nga autorët e sulmit në Baçki Petrovac janë të njohur si anëtarë të SNS-së, por partia nuk ka komentuar deri tani.
Ngjarjet në Baçki Petrovac lidhen me tensionet në Novi Pazar, ku më 27-28 korrik një grup burrash të maskuar largoi me dhunë studentët që po bllokonin universitetin, duke shkaktuar protesta dhe përplasje me policinë. Pas këtyre ngjarjeve, zyrtarë proqeveritarë shpërndanë sulme ndaj komunitetit boshnjak, duke çuar në kallëzim penal kundër kryetares së Kuvendit, Ana Bërnabiq, për nxitje urrejtjeje.
Më 10 gusht në Novi Sad, qindra të rinj vizatuan flamurin tredngjyrësh serb në fasadat e ndërtesave, duke shkaktuar reagime dhe përleshje me banorët lokalë që e mbuluan me ngjyrë të bardhë, ndërhyrje e cila u shoqërua me ndalime policore.
Ministria e Brendshme e Serbisë nuk ka dhënë deri tani përgjigje lidhur me veprimet e policisë në këto incidente.
Presidenti i SNS-së, Millosh Vuçeviq, lavdëroi publikisht qytetarët që vizatuan flamurin serb në Novi Sad, ndërsa presidenti Aleksandar Vuçiq kritikoi ata që iu kundërvunë. Analistët politikë e konsiderojnë këtë si një strategji të pushtetit për të fragmentuar dhe dobësuar lëvizjen protestuese, ndërsa një pjesë e studentëve kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare si zgjidhje të krizës së gjatë shoqërore.
Aleksandar Vuçiq ka njoftuar se zgjedhjet do të shpallen para afatit kushtetues, por nuk ka dhënë ende datën e saktë.