Përplasje në Podgoricë për Çmimin “13 Korriku”: Protesta, përplasje me policinë dhe reagime të ashpra

Tensione, përplasje dhe akuza për brutalitet policor shënuan protestën e qindra qytetarëve në Podgoricë, të cilët kundërshtuan dhënien e çmimit prestigjioz “13 Korriku” shkrimtarit Beqir Vukoviq – një figurë e kontestuar për mohimin e kombit malazez dhe mbështetjen ndaj lëvizjes çetnike.
Protesta nisi para vilës shtetërore “Gorica”, ku mbahej ceremonia zyrtare. Forcat e policisë ndërhynë me gaz lotsjellës dhe sprej piperi për të shpërndarë turmën, e cila tentoi disa herë të thyente kordonin policor për të hyrë në objektin e pritjes.
Sipas autoriteteve, protesta ishte e paautorizuar dhe një pjesëtar i policisë mbeti i lënduar nga përplasjet. Ndërkohë, protestuesit reaguan duke hedhur vezë dhe gurë, dhe me thirrje kundër fashizmit dhe politikanëve të djathtë si Andrija Mandiq. “Fashistë”, “Tradhti”, “Duhet t’u themi jo fashistëve”, ishin disa nga parullat që jehuan në rrugët e Podgoricës, ndërsa të pranishmit kënduan edhe himnin shtetëror.
Protesta, që zgjati rreth tri orë, u udhëhoq nga regjisori Danillo Marunoviq, i cili u shpreh se “policia na trajtoi brutalisht, si kriminelë. Kjo nuk do të përfundojë këtu”.
Raportimet nga terreni, përfshirë gazetarinë e Radios Evropa e Lirë, konfirmojnë se disa qytetarë, mes tyre edhe dekani i Fakultetit të Gjuhës dhe Letërsisë Malazeze, Aleksandar Radoman, përfunduan në spital për shkak të problemeve me frymëmarrjen nga gazrat e përdorur nga policia.
Çmimi “13 Korriku”, i cili jepet në nder të Ditës së Shtetësisë së Malit të Zi dhe simbolizon frymën antifashiste, këtë vit iu dha Beqir Vukoviqit, përkundër kritikave të shumta për qëndrimet e tij pro-çetnike dhe mohimin e identitetit malazez. Ai ka lavdëruar hapur figurën e Drazha Mihailoviqit, liderit të çetnikëve në Luftën e Dytë Botërore, dhe ka mbështetur linjën politike pro-ruse të Frontit Demokratik.
Krahas tij, me çmim u nderua edhe grafisti Velo Stanishiq. Çmimet u dorëzuan nga kryetari i Kuvendit, Andrija Mandiq, i cili deklaroi se “sukseset e laureatëve përfaqësojnë thelbin e 13 Korrikut në shekullin XXI”.
Një nga tre të nderuarit, kitaristi me famë botërore Millosh Karadaglliq, refuzoi publikisht ta pranonte çmimin.
Ngjarja nxiti reagime të ashpra politike. Partia Demokratike e Socialistëve e quajti dhënien e çmimit një “turp” dhe denoncoi dhunën policore si “pikën më të ulët të shtetit”.
Ndërkohë, Fakulteti i Gjuhës dhe Letërsisë Malazeze u është drejtuar ambasadorëve të BE-së, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe me një letër proteste, duke dënuar përdorimin e forcës së tepruar dhe duke kërkuar vëmendje ndërkombëtare për këtë zhvillim.
Çmimi “13 Korriku” ka qenë gjithnjë një simbol i krenarisë kombëtare dhe frymës antifashiste, por ndarja e tij këtë vit ka shkaktuar ndarje të thella politike dhe shoqërore në Mal të Zi.