Përplasje dhe dëshmi të reja në gjyqin për atentatin ndaj Arjan Ndojës: “Na kanë ardhur plumba që s’i meritojmë”

Seanca gjyqësore për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, ngjarje e ndodhur në nëntor të vitit 2019, ka vijuar me zhvillime të tensionuara dhe deklarata të forta nga vetë Ndoja dhe i pandehuri Julian Meçaj.
Avokati i Meçajt, Isuf Shehu, e pyeti Ndojën lidhur me një episod ku ai i kishte kërkuar babait të klientit të tij, Basir Meçe, ta largonte djalin jashtë vendit. “Përderisa unë kam marrë plumba dhe nuk i jam debitor askujt, i thashë Basirit: ‘Na kanë ardhur plumba që s’i meritojmë.’ Ia kërkova ta hiqte djalin e ta çonte jashtë si mik, si prind. Po na bënin intriga – përhapja e një të pavërtete si fakt është formë intrigash,” deklaroi Ndoja.
Ai tregoi gjithashtu për një letër anonime që i ishte lënë poshtë derës pas atentatit, ku dyshohej se ai kishte ndërhyrë në një çështje ligjore. “Letra nuk kishte asnjë të dhënë, as emër, as procedim. Nuk e di kush e solli. Thirra Basirin dhe ia tregova se çfarë mendoja,” tha ai.
Në një moment tensioni në sallë, i pandehuri Meçaj ndërhyri drejtpërdrejt me një pyetje provokuese: “Në vitin 2001 ke nisur punën. Të kanë ardhur letra anonime? Si prokuror, a ia ke dorëzuar ndonjë organi?” Përgjigjja e Ndojës ishte e shkurtër: “Jo.”
Debati u përshkallëzua kur Meçaj iu drejtua Ndojës me një deklaratë ofenduese: “Katolikët e Shkodrës deri te ata të Pogradecit, trafikantëve u ke qethur lesht.”
Ndërkohë, përfaqësuesi i SPAK, prokurori Adnan Xholi, e pyeti Ndojën lidhur me përmendjet e mëparshme të figurave politike: “E përmendët disa herë kryeministrin dhe ish-zv.kryeministrin. A mendoni se kanë lidhje me atentatin ndaj jush?”
Ndoja u përgjigj shkurtimisht: “Jo, nuk e di.”
Seanca pritet të vijojë me dëshmi të tjera dhe përballje të reja mes palëve.