Bota

Përmbytje dhe dëme të mëdha pas stuhive në Bullgari

Stuhi të fuqishme dhe reshje të rrëmbyeshme kanë goditur Bullgarinë juglindore dhe veriperëndimore, duke shkaktuar përmbytje të mëdha dhe viktima në njerëz. Autoritetet bullgare kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në disa komunitete të prekura.

Sipas ministrit të Brendshëm, Daniel Mitov, tre persona kanë humbur jetën në vendpushimin Elenite në bregun e Detit të Zi. Dy prej viktimave ishin një roje kufitare dhe një shofer traktori, ndërsa i treti humbi jetën në një hotel, pasi uji u ngrit me shpejtësi.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë rrëke balte që rrëmbejnë makina në rrugët kryesore të fshatit Elenite. Përmbytjet kanë shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë, duke përfshirë ndërtesa të dëmtuara dhe rrugë të shkatërruara.

“Shohim shumë automjete të përmbytura në det. Është dërguar një dron për të verifikuar nëse ka pasagjerë brenda tyre,” deklaroi zëvendësministri i Brendshëm, Tony Todorov, në një konferencë për shtyp të mbajtur në Sofje.

Ndërkohë, ambientalistët bullgarë kanë përsëritur shqetësimet e tyre për ndërtimet pa kriter në zonat bregdetare të Detit të Zi, duke theksuar se urbanizimi i pakontrolluar po e përkeqëson ndikimin e fatkeqësive natyrore si stuhitë dhe përmbytjet.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button