Përleshje me armë në Ferizaj, arrestohet një polic dhe tre qytetarë – IPK rekomandon suspendimin e zyrtarit policor

Një incident i rëndë ka ndodhur në fshatin Doganaj të Ferizajt, ku si pasojë e një mosmarrëveshjeje në trafik ka shpërthyer një përleshje me armë zjarri. Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se në këtë rast janë arrestuar katër persona, përfshirë një zyrtar policor dhe tre qytetarë.
Sipas IPK-së, polici i përfshirë ka qenë jashtë detyrës zyrtare në momentin e ngjarjes. “Bazuar në veprimet fillestare hetimore, dyshohet se incidenti ka ndodhur fillimisht si pasojë e një mosmarrëveshjeje në trafik, duke përfunduar fatkeqësisht në një incident të gjuajtjes me armë zjarri, ku janë lënduar dy persona – një qytetar dhe zyrtari policor,” thuhet në njoftimin zyrtar.
Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku sipas mjekëve ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar dy vetura, dy armë zjarri – një armë zyrtare e llojit Glock 19 dhe një revole e llojit Zastava, si dhe 16 gëzhoja dhe një predhë.
Pas konsultimeve me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, është vendosur që të katër të dyshuarit të ndalohen për 48 orë. Ndërkohë, IPK ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit policor të përfshirë në rast.
Hetimet janë duke u zhvilluar për veprat penale: “Vrasje në tentativë”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Dhënie ndihmë gjatë kryerjes së veprës penale”. Sipas IPK-së, hetimet do të vazhdojnë në bashkëpunim me prokurorin përgjegjës dhe njësitë relevante për të sqaruar rrethanat e plota të incidentit.