Përkujtohen viktimat sinti dhe romë të Luftës së Dytë Botërore – Thirrje kundër diskriminimit

Rreth 500.000 sinti dhe romë u vranë gjatë sundimit nazist në Europë. Në Ditën Europiane të Përkujtimit të Holokaustit ndaj këtij komuniteti, ministri gjerman i Shtetit për Kulturën, Wolfram Weimer, bëri thirrje për të mos harruar kurrë krimet e së kaluarës dhe për të kundërshtuar me forcë çdo formë të anticiganizmit.
“Në historinë tonë, krimet e nacionalsocialistëve ndaj sintive dhe romëve janë plagë që nuk duhet të harrohen. Ato mbeten një kujtesë e përhershme për të tashmen dhe të ardhmen tonë,” tha Weimer gjatë një ceremonie përkujtimore në Berlin.
Natën e 2 gushtit duke u gdhirë 3 gushti të vitit 1944, trupat SS vranë rreth 4.300 sinti dhe romë që ndodheshin ende në kampin e përqendrimit dhe shfarosjes Auschwitz-Birkenau. Ky akt shënon një nga momentet më të errëta të Porajmos – emri që komuniteti rom dhe sinti përdor për gjenocidin ndaj tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në total, në Europën e pushtuar nga nazistët, u vranë afro gjysmë milioni sinti dhe romë. Vetëm në vitet 1980, në Republikën Federale të Gjermanisë u njoh zyrtarisht ky gjenocid, ndërsa që nga viti 2015, data 2 gusht është shpallur Dita Europiane e Përkujtimit të Holokaustit ndaj sintive dhe romëve.
“Edhe pse pranimi i kësaj tragjedie erdhi vonë, ai mbetet një përgjegjësi që ne mbajmë për ato që ndodhën dhe për ato që nuk duhet të përsëriten kurrë më,” theksoi Weimer. Sipas tij, edhe sot anticiganizmi mbetet një realitet i dhimbshëm, pasi sintit dhe romët vazhdojnë të përballen me paragjykime, diskriminim dhe përjashtim shoqëror.
Në Gjermani, sipas vlerësimeve të Qendrës Federale për Antidiskriminimin, jetojnë nga 80.000 deri në 140.000 persona të komunitetit sinti dhe rom. Përkujtimi i Holokaustit dhe nxitja e ndërgjegjësimit për të luftuar anticiganizmin konsiderohen tashmë si detyrë demokratike e pandashme nga shoqëritë moderne.