Lajme

Përgjimi i komunikimeve elektronike në 2024: Raporti i prokurorit të përgjithshëm Olsian Çela

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, raportoi për punën e realizuar gjatë vitit 2024 në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, duke paraqitur detaje mbi përdorimin e përgjimit të komunikimeve elektronike dhe zhvillimet e tjera të rëndësishme në sistemin e drejtësisë.

Sipas raportit, gjatë vitit 2024 janë përgjuar 2361 telefona, që janë përdorur nga 2159 persona, për të mbledhur prova në 405 procedime penale. Prokurorët kanë realizuar 933 vendime për përgjim të autorizuara nga gjykatat, dhe 538 urdhra/autorizime të dhëna nga prokurorët. Ky mjet është përdorur në fazën e hetimeve paraprake për sigurimin e provave.

Për performancën e prokurorive, Çela theksoi se dega më e madhe e prokurorisë mbetet ajo në Tiranë, pasuar nga ato në Durrës dhe Fier.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i raportit ishte rritja e përgjegjshmërisë dhe kontrollit mbi veprimtarinë e oficerëve të policisë gjyqësore. Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar që Komisioni i Policisë Gjyqësore të iniciojë procedime ndaj dy oficerëve të policisë gjyqësore për vitin 2024.

Gjithashtu, sektori i monitorimit në Prokurorinë e Përgjithshme ka vijuar inspektimin e veprimtarisë së oficerëve të policisë gjyqësore, duke kryer inspektime tematike në disa prokurori të vendit. Prokurori i Përgjithshëm ka kërkuar një angazhim më të madh të drejtuesve të prokurorive në mbikëqyrjen e veprimtarisë dhe shpërndarjen e ngarkesës së punës për oficerët e policisë gjyqësore.

Ky raport i vitit 2024 tregon një angazhim të vazhdueshëm për përmirësimin e sistemit të drejtësisë dhe rritjen e efikasitetit të hetimeve penale në Shqipëri.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button