Lajme
Kryesore

Përfundon numërimi i votave të diasporës, përveç Greqisë; PS fiton një mandat shtesë nga votat jashtë vendit

Ka përfunduar numërimi i votave të diasporës në të gjitha vendet, përveç Greqisë, ku mbeten ende pa u numëruar rreth 53 mijë zarfe. Numërimi i votave nga Greqia pritet të vendoset sot në orën 09:00 në mbledhjen e kryetarit të KQZ, Ilirjan Celibashi.

Nga 194 889 zarfe të diasporës, janë numëruar 145 441, ndërsa kontestimet e Partisë Demokratike për ndarjen veçmas të zarfeve nga Greqia sollën ndarjen e tyre në kuti të ndryshme për 12 qarqet, një vendim i cili u pranua fillimisht nga KQZ, por më pas u rrëzua nga Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve, duke u çuar në Kolegjin Zgjedhor.

Rezultatet tregojnë se Partia Socialiste është e vetmja forcë politike që ka fituar mandat nga vota e diasporës, duke siguruar mandatin shtesë në qarkun e Vlorës. Kështu, PS rrit numrin e mandateve nga 8 në 9 në atë qark, ndërsa koalicioni PD-ASHM zbret nga 4 mandate në 3.

Në nivel kombëtar, PS mban 83 mandate, PD 50 mandate, PSD merr 3 mandate, Partia Mundësia e Agron Shehajt 2, ndërsa Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet marrin nga 1 mandat secila.

Nga votat e numëruara në diasporë, PS ka marrë 77 901 vota (54.18%), ndjekur nga koalicioni PD-ASHM me 40 510 vota (28.17%). Në vend të tretë renditet koalicioni NISMA-SHB me 11 651 vota (8.10%). Partia Mundësia ka marrë 5 358 vota (3.73%), Lëvizja Bashkë 3 848 vota (2.68%), PSD 1 947 vota (1.35%) dhe KEA 1 058 vota (0.74%).

Numërimi i votave preferenciale për kandidatët nga diaspora ende nuk ka filluar, por pritet që fituesit të jenë në linjë me rezultatet e përgjithshme.

Në qarkun e Tiranës, Partia Mundësia e Agron Shehajt mbajti mandatin e saj të dytë, duke ruajtur kështu pozicionin kundrejt PD-së që ka marrë 13 mandate në këtë qark.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button