Për herë të parë, 245 mijë shqiptarë nga diaspora marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare

Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve shqiptare, 245 mijë qytetarë nga diaspora kanë marrë të drejtën të votojnë në zgjedhjet parlamentare, falë ndryshimeve të fundit në Kodin Zgjedhor. Ky është një hap i rëndësishëm drejt përfshirjes së plotë të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit në proceset demokratike të Shqipërisë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në kuadër të planit për votën e diasporës, ngriti një platformë elektronike për regjistrimin e votuesve, duke i mundësuar të gjithë emigrantëve me dokumentacion të rregullt dhe me një adresë të verifikuar jashtë vendit të regjistroheshin për të votuar.
Italia rezulton vendi me numrin më të lartë të votuesve të regjistruar, me mbi 91,000 shqiptarë që kanë marrë zarfin me fletën e votimit. Edhe pse shumica e votuesve janë përqendruar në vendet fqinje si Italia dhe Greqia, KQZ nuk ka përjashtuar as vendet me numër minimal votuesish, përfshirë Venezuelën, Jordaninë dhe Filipinet.
Megjithatë, procesi është shoqëruar me problematika. Forca të ndryshme politike kanë ngritur shqetësime mbi vonesat në shpërndarjen e zarfeve nga operatori postar, i cili është financuar me 10 milionë euro. Vonesat janë raportuar veçanërisht në Greqi, duke rritur pakënaqësinë e emigrantëve që nuk kanë mundur të votojnë në kohë.
Të gjitha zarfet që nuk janë tërhequr nga votuesit deri më 8 maj janë kthyer në Shqipëri, në magazinat e KQZ-së. Ndërkohë, çdo votë që nuk mbërrin në territorin shqiptar brenda orës 19:00 të së dielës, do të konsiderohet e pavlefshme.
Numërimi i votave të diasporës do të nisë paralelisht me procesin e numërimit të votave brenda vendit, sipas qarqeve përkatëse.