“Bosi” shqiptar që sfidon drejtësinë greke edhe nga burgu – Çfarë u gjet në qelinë e Edmond Përbashajt

Edmond Përbashaj, i njohur me nofkën “Mondi”, një ndër figurat më të rrezikshme të krimit të organizuar shqiptar në Greqi, vijon të mbajë të gjallë aktivitetin e tij kriminal edhe pas hedhjes pas hekurave. Një kontroll i papritur në qelinë e tij në burgun e Nafplios ka zbuluar një telefon celular, një router portativ dhe një shufër metalike, duke treguar se edhe në izolim, “bosi” shqiptar gjen mënyra për të ruajtur kontaktet me botën e jashtme.
Zyrtarë të lartë të policisë greke kanë shprehur hapur zhgënjimin dhe frustrimin e tyre përballë kësaj situate, duke deklaruar për mediat se Përbashaj vijon të ketë akses në celularë, drogë dhe komunikim të drejtpërdrejtë me rrjetin e tij kriminal, i cili është i përhapur në gjithë territorin grek dhe përbëhet kryesisht nga shtetas shqiptarë.
Sipas informacioneve të siguruara nga autoritetet, Përbashaj ka ndërtuar një sistem të sofistikuar brenda burgjeve greke përmes bashkëpunimit me zyrtarë të korruptuar, përfshirë edhe zëvendësdrejtorin e njërit prej institucioneve ku ka qëndruar më parë. Me ndihmën e tyre, ai ka futur kontrabandë drogë, ka organizuar rrjete trafikimi dhe ka pastruar para përmes mensës së burgut, duke shndërruar ambientin penal në një “dyqan kriminal”.
Pajisjet e sekuestruara në kontrollin e fundit janë tashmë në duart e ekspertëve të laboratorëve mjeko-ligjorë, të cilët po analizojnë celularin dhe routerin për të zbuluar lidhje të mundshme me krime të rënda të ndodhura kohët e fundit, përfshirë vrasjen e një shtetasi shqiptar në Thrakomedones, shpërthime me eksploziv dhe trafik droge.
Edmond Përbashaj ka kaluar në shumicën e burgjeve të Greqisë dhe, në secilin rast, ka arritur të ruajë kontrollin mbi rrjetin e tij, duke përdorur ndikim, frikë dhe korrupsion. Ndaj tij është hapur një çështje e re penale, e cila pritet të shkojë për gjykim në muajt e ardhshëm.
Rasti i Përbashajt po konsiderohet si një provë e vërtetë për integritetin e sistemit të drejtësisë dhe sigurisë në Greqi, ndërkohë që autoritetet po përballen me sfida të mëdha për të ndalur ndikimin e tij brenda dhe jashtë burgut.