Kosova

PDK reagim për licencimin e kompanisë së Luan Dalipit: “Krimi në sektorin e energjisë ka marrë përmasa galopante”

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër pas lajmit se Zyra e Rregullatorit për Energji i ka dhënë licencë për tregtimin e energjisë elektrike kompanisë “Management & Development Associates L.L.C.”, e themeluar nga Luan Dalipi, shef i stafit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Për Çitakun, ky zhvillim “nuk është aspak befasi”. Ajo ka akuzuar qeverinë se sektori i energjisë është kapur nga krimi dhe kontrollohet nga grupe të mbyllura komunikimi, ku, sipas saj, vendosen tenderë, licenca dhe edhe ndërprerje të energjisë.

“Krimi në sektorin e energjisë ka marrë përmasa galopante. Sot, gjithçka vendoset në grupe të mbyllura në WhatsApp, nga tenderët, te licencat, e deri te ndërprerjet e energjisë elektrike. Dhe në ato grupe janë të përfshirë krerët e kupolës së Vetëvendosjes, ashtu siç tashmë është e dokumentuar edhe nga Prokuroria”, ka shkruar Çitaku në një reagim në rrjete sociale.

Sipas saj, faturën e kësaj situate nuk e paguajnë përgjegjësit, por qytetarët e zakonshëm.

“Por faturën nuk e paguajnë ata. Faturën, me gjithë pasojat, po e paguajnë qytetarët, çdo muaj, çdo ditë, çdo orë”, ka përfunduar ajo.

Zyra e Rregullatorit për Energji njoftoi më herët sot se ka miratuar aplikimin për licencë të “Management & Development Associates L.L.C.” për tregtim me energji elektrike.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button