Lajme

PD ngre alarmin për manipulim me votën e diasporës, kërkon auditim dhe hetim nga SPAK

Partia Demokratike ka ngritur sot shqetësime serioze për integritetin e procesit zgjedhor, duke denoncuar parregullsi të theksuara në votimin e diasporës për zgjedhjet vendore të 11 majit. Në një letër zyrtare drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe për dijeni misionit të OSBE-ODIHR në Shqipëri, PD ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për garantimin e një procesi të ndershëm dhe transparent.

Sipas demokratëve, raporti i tyre evidenton problematika të rënda sidomos në Greqi, por edhe në vende të tjera si në BE, SHBA dhe Britaninë e Madhe. Mungesa e transparencës, shkeljet procedurale, presioni politik, shpërndarja jozyrtare e fletëve të votimit dhe cenimi i fshehtësisë së votës përbëjnë, sipas PD-së, rrezik serioz për legjitimitetin e rezultatit zgjedhor.

Në reagimin e saj, PD kërkon:

Audit të plotë të logjistikës së votës së diasporës;

Rishikim për pavlefshmëri të çdo vote të dorëzuar në mënyrë të dyshimtë;

Hetim penal nga SPAK për blerje votash;

Verifikim të rolit të mundshëm të Partisë Socialiste në shpërndarjen e fletëve të votimit;

Dërgimin e një misioni të OSBE-ODIHR në qendrat ku votojnë shqiptarët në emigracion, veçanërisht në Greqi.

PD thekson se çdo devijim nga rregullat e procesit zgjedhor rrezikon besueshmërinë e demokracisë dhe integritetin e institucioneve.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button