Paul Pogba drejt rikthimit në fushë – mund të luajë ndaj Tottenhamit në Ligën e Kampionëve

Paul Pogba mund të bëjë rikthimin e tij të shumëpritur në futbollin e skuadrës së parë ndaj Tottenham Hotspur në Ligën e Kampionëve, ka bërë të ditur trajneri i Monacos, Adi Hutter.
Mesfushori francez, 32 vjeç, nënshkroi me Monacon në qershor, por ende nuk ka debutuar për klubin e ri, pasi po kalon një fazë të kujdesshme rikuperimi pas ndalimit 18-mujor për doping.
Hutter tha se Pogba është gjithnjë e më afër rikthimit, dhe mund të përfshihet në listën e skuadrës kundër Angers më 18 tetor – ose në ndeshjen e tyre të ardhshme në Ligën e Kampionëve, më 22 tetor ndaj Tottenhamit.
“Ai po stërvitet gjithnjë e më shumë me skuadrën. Synimi ynë ishte që ndoshta të ishte në listën e ndeshjes kundër Nice, por është pak herët. Kundër Angers shpresoj të jetë pjesë e skuadrës,” tha Hutter.
“Mendoj se mund të jetë gati përballë Angers, por mund të jetë edhe ndeshja pas saj (kundër Tottenham). Është në mendjen time si t’ia rris ngarkesën, ndoshta me 15-20 minuta në një ndeshje kundër Angers.”
Pogba ka një bilanc të mirë kundër Tottenhamit, me gjashtë fitore, një barazim dhe tre humbje në nëntë përballje me Manchester Unitedin.
Edhe pse nuk ka luajtur ende për Monacon, ndikimi i tij tashmë ndihet në dhomën e zhveshjes.
“Ai është aty për të inkurajuar skuadrën dhe për t’u dhënë udhëzime lojtarëve të rinj. Ata e duan praninë e dikujt që ka fituar gjithçka,” shtoi trajneri.
Pogba është fitues i Kupës së Botës me Francën, katër herë kampion i Serie A me Juventusin dhe fitues i Europa League e EFL Cup me Manchester United.
Karriera e tij u ndërpre në shtator 2023, kur u pezullua për katër vjet pas një testi antidoping pozitiv – dënim që më vonë iu ul në vetëm 18 muaj. Pas ndërprerjes së kontratës me Juventusin, ai nënshkroi një marrëveshje dyvjeçare me Monacon.
Në një intervistë për “Daily Mail Sport”, Pogba rrëfeu momentin kur mësoi se do të mund të luante sërish në vitin 2025:
“Gruaja ime u ngjit me vrap me telefonin duke bërtitur: ‘Është avokati!’ Ai më dha lajmin dhe unë mbeta i heshtur. Të gjithë ishin duke kërcyer nga gëzimi, por unë isha në shok. Ajo lumturi u kthye shpejt në vendosmëri. Kaluam ferr, por ky është shansi im i dytë – duhet ta shfrytëzoj.”
Nëse gjithçka shkon sipas planit, rikthimi i Pogbas mund të ndodhë pikërisht në skenën më të madhe të futbollit evropian.



