Sport

Patrik Vieira: “Zemra ime rreh për PSG-në, por edhe Interi më bën krenar” – Finalja e Champions-it, një duel i ndjenjave

Trajneri i Xhenoas, Patrik Vieira, ka folur me emocion për finalen e madhe të Ligës së Kampionëve që do të zhvillohet më 31 maj në Mynih, ndërmjet Paris Saint-Germain dhe Interit të Milanos. Edhe pse tifoz i PSG-së, Vieira nuk e fsheh lidhjen e fortë emocionale me Interin, klub ku ka kaluar një pjesë të rëndësishme të karrierës.

“Do të shkoj në Gjermani për finalen. Unë shkova në Paris kur isha fëmijë. Kishte lojtarë të jashtëzakonshëm ajo skuadër. Por brenda meje ekziston edhe një pjesë e madhe e Interit. Kam qëndruar në Milano për 3 vite e gjysmë dhe ka qenë një periudhë shumë e bukur”, tha Vieira për mediat.

Ai vlerësoi rrugëtimin e të dyja ekipeve, duke theksuar se të dyja e meritojnë trofeun për arsye të ndryshme.

“Mendoj se Interi e meriton ta fitojë për atë që ka bërë në vitet e fundit, por edhe PSG-ja gjithashtu. Ka pasur guximin që të largojë shumë lojtarë të rëndësishëm dhe mbi të gjitha Mbappén. Për më tepër arriti në finale. Sido që të shkojë, do të jem i lumtur”, theksoi ai.

Në analizën e tij taktike, Vieira theksoi diferencat mes dy skuadrave.

“PSG-ja nuk ka më futbollin më të mirë, por është e bukur për t’u parë. Ndërkohë që Interi ka eksperiencën, është dinak dhe mund të luajë keq dhe të fitojë njëkohësisht. Interi pranon që të jetë edhe në vështirësi. Është një skuadër plotësisht italiane. Nuk do të vija bast sepse është e vështirë për t’u parashikuar. Ky Champions ka treguar se grupi mund të bëjë diferencën dhe jo individët”, shtoi trajneri francez.

Në fund, Vieira foli edhe për eksperiencat e tij si futbollist dhe ndikimin që kanë pasur trajnerët e së kaluarës në filozofinë e tij aktuale si trajner.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button