Lajme
Kryesore

Krimet zgjedhore mbetën pa ndëshkim, strategjia e SPAK-ut dështoi

Zgjedhjet varen nga vullneti politik i votuesve dhe jo nga sistemi i drejtësisë. Megjithatë, në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) u paraqit si një “faktor i tretë” në garë, përkrah mazhorancës së Edi Ramës dhe opozitës së Sali Berishës. Por ndikimi i saj përfundoi më i vogël se ai i partive të vogla, si grupimi i Enkelejd Alibeajt.

Gjatë fushatës dhe periudhës para saj, qytetarët dëgjuan premtime nga Rama për “pasaportën europiane”, projekte ekonomike nga Berisha për rimëkëmbjen e vendit dhe… premtime nga SPAK-u për të parandaluar dhe goditur krimet zgjedhore.

Në janar 2025, kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, prezantoi një platformë për parandalimin e krimeve zgjedhore, e cila u pasua nga një marrëveshje bashkëpunimi me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

SPAK mori një rol të theksuar në zbatimin e strategjisë, me Dumanin që zhvilloi takime në disa prokurori lokale për të dhënë “porosi dhe direktiva” – një praktikë që nuk është e përcaktuar në kompetencat ligjore të kreut të SPAK-ut. Ai vizitoi prokuroritë në Shkodër, Lezhë, Fier, Durrës dhe Elbasan, ku dha orientime për hetimin e krimeve zgjedhore, por disa prokurori, si ajo e Tiranës dhe Vlorës, nuk patën fatin të marrin udhëzime të ngjashme, duke mbetur jashtë këtij procesi.

Kritikët e kësaj qasjeje e cilësojnë si përpjekje për të ndërtuar një “kult individi” rreth Dumanit, i cili në mënyrë të heshtur ka vendosur nën kontroll prokuroritë lokale, duke margjinalizuar edhe Prokurorin e Përgjithshëm, Olsian Çela.

Por ajo që ka më shumë rëndësi për publikun është efekti real i kësaj strategjie në parandalimin e krimeve zgjedhore. Deri tani, rezultatet janë minimale. Në Elbasan, pavarësisht informacioneve për dyshime mbi blerje votash në qendrat elektorale të Partisë Socialiste, nuk është urdhëruar asnjë kontroll konkret nga SPAK-u. Janë mbajtur vetëm disa takime informuese.

Në Shkodër, kontrolle u kryen vetëm mbi disa persona të afërt me Tom Doshin, dhe kjo pas pretendimeve publike të tij kundër socialistëve. Ndërsa në qytetet kryesore si Tirana, Durrësi, Fieri, Vlora, Korça dhe të tjera, nuk është evidentuar asnjë veprim konkret i SPAK-ut për parandalimin e krimeve zgjedhore.

Edhe pse strategjia kishte për synim mbrojtjen e votës dhe integritetin e procesit zgjedhor, angazhimi i SPAK-ut deri më tani shihet më shumë si një përpjekje për imazh publik, sesa një veprim real dhe i matshëm në luftën kundër krimeve zgjedhore.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button