Pashkët, festa e ringjalljes dhe shpresës për të krishterët në mbarë botën

Pashkët, një nga festat më të rëndësishme të kalendarit të krishterë, kremtojnë ringjalljen e Jezu Krishtit nga të vdekurit – një ngjarje thelbësore e besimit të krishterë që, sipas Besëlidhjes së Re, ndodhi në ditën e tretë pas kryqëzimit të tij në Kalvar.
Kjo festë e shenjtë ka rrënjë të thella historike që datojnë që nga shekulli i parë i erës sonë dhe është e lidhur ngushtë me Pashkën hebraike, që përkujton shpëtimin e hebrenjve nga skllavëria në Egjipt. Pikërisht gjatë kësaj periudhe të festës hebraike ndodhi edhe kryqëzimi i Krishtit, sipas dëshmive të ungjijve, çka bën që dy festat të përkojnë shpesh në kalendarin lunar.
Pashkët nuk kanë një datë fikse, pasi llogaritja e tyre bazohet në kalendarin hënor: ato festohen të dielën e parë pas hënës së plotë që ndodh pas ekuinoksit të pranverës (rreth datës 21 mars), dhe për këtë arsye bien ndërmjet datave 22 mars dhe 25 prill.
Për të krishterët, kjo festë simbolizon fitoren e jetës mbi vdekjen, si dhe ofron shpresën për shpëtim dhe jetë të përjetshme, duke u konsideruar si festa më e shenjtë në fenë e krishterë. Asaj i paraprin Java e Madhe, një periudhë reflektimi që përfshin edhe të Premten e Zezë, ditën e kryqëzimit, dhe kulmon me të Dielën e Pashkëve – ditën e ringjalljes.
Traditat e festimit ndryshojnë nga vendi në vend, por zakonisht përfshijnë pjesëmarrjen në meshën e Pashkëve, ngjyrosjen e vezëve – simbol i jetës së re – si dhe mbledhjet familjare me ushqime tradicionale.