Flamur Noka nga Maliqi dhe Erseka: PD do të jetë mbështetësja kryesore e fermerëve

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, gjatë një takimi me fermerët në Maliq dhe Ersekë, u zotua se nën drejtimin e PD-së, bujqësia do të marrë vëmendjen dhe mbështetjen që i ka munguar prej vitesh. Ai theksoi se prioriteti i forcës që përfaqëson do të jetë subvencionimi i bujqësisë, rritja e prodhimit vendas dhe garantimi i tregtimit të tij për konsumatorin shqiptar.
“Prodhimet tuaja nuk duhet të hidhen në kanale, por të jenë në tryezat e çdo shqiptari,” deklaroi Noka, duke kritikuar qasjen e qeverisë aktuale ndaj bujqësisë. Ai shtoi se fermerët janë lënë në harresë nga shteti, i cili, sipas tij, jo vetëm që nuk i mbështet, por i trajton si armiq.
Noka akuzoi kryeministrin Edi Rama për shpërdorim të fondeve publike dhe për mungesë vizioni në raport me zhvillimin rural. “Rama mendon për verën 33 mijë euro dhe avionin privat, ndërkohë që me paratë e taksapaguesve ka paguar një kopsht privat 4 milionë euro në Kryeministri”, tha ai.
Ai theksoi se koha për ndryshim ka ardhur dhe se vetëm përmes votës së lirë dhe ndëshkimit të lidhjes së krimit me pushtetin, Shqipëria mund të ringrihet ekonomikisht.
“Sali Berisha do ta bëjë Korçën dhe gjithë Shqipërinë madhështore, sepse janë të gjitha mundësitë,” përfundoi Noka, duke bërë thirrje për mobilizim dhe votë kundër qeverisë aktuale.