
Pas Peqinit, Berisha zhvilloi mitingun përmbyllës edhe në Gramsh, ku kërkoi mbështetje për kandidatët e opozitës dhe programin e saj qeverisës me 11 maj.
Gjatë fjalës së tij Berisha deklaroi se Gramshi është sot në emergjencë kombëtare, për shkak të mungesës së infrastrukturës e shpopullimit. Sipas Berishës shëndetësia është kthyer njëlloj si në vitet 60. Përballë kësaj panorama kryedemokrati tha se Gramshi do jetë prioriteti i tij kryesor dhe se do të investohet 70 milionë euro çdo vit për vaditje kullim e mirëmbajtje të tokës. Po kështu Berisha premtoi ndërtimin e bypassit të Elbasanit.
Teksa u prezantoi gramshiotëve programin qeverisës, për rritje pagash e pensionesh, Berisha u ndal edhe tek plani për rikthimin e shqiptarëve në atdhe, duke krijuar mundësi të rinjve që të punojnë dhe investojnë në vendin e tyre.
Kryedemokrati u ndal edhe tek rezoluta e miratuar nga PPE, e cila sipas tij, ka hedhur në kosh të plehrave pasaportën evropiane të Edi Ramës.
Berisha bëri thirrje që në javën e fundit të mbetur, të diskutohet dhe paraqitja e projektit të PD me çdo qytetarë të Gramshit dhe gjithë Shqipërisë.