
Oresti Berberi, një nga mbështetësit e Berishës në takimet me të rinjtë, kërkon mbajtjen e përgjegjësive për humbjen: “Zgjedhjet u humbën, justifikime njësoj si Lul Basha nuk ka më. Përgjegjësinë ta mbajnë ata që e kanë!”, shkruan ai në profilin e tij në rrjetin social Facebook.
Teksa numërohen edhe kutitë e fundit për pjesën më të rëndësishme të zgjedhjeve të 11 majit, votat për partitë, humbja e thellë e Partisë Demokratike dhe Sali Berishës mbetet lajmi më i rëndësishëm që ka tronditur jo pak drejtuesit e saj, por edhe bazën.
Nuk mungojnë edhe pakënaqësitë, kritikat e forta, distancimet dhe deri tek kërkimi i llogarisë.
Mungesa e meritokracisë me kandidatët në garën e primareve shihet si një nga shkaqet e humbjes, por edhe organizimi dhe figurat e vjetra, deri edhe tek lidershipi i saj Sali Berisha, dy herë i shpallur non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe, sikurse dhe nën akuzë dhe i pandehur nga SPAK-GJKKO për aferën “Partizani”.
Një nga drejtuesit e lartë të strukturave që ka reaguar sot (13 maj) ka qenë edhe nënkryetari i Forumit Rinor Demokrat në Durrës, Oresti Berberi, që ka reaguar duke kërkuar mbajtjen e përgjegjësive.
Një nga shoqëruesit dhe mbështetësit më aktivë të Berishës në takimet që ai ka bërë me të rinjtë, ai ndihet i zhgënjyer nga rezultati që vjen edhe si rezultat i strategjisë së gabuar politike të PD-së.
“Zgjedhjet u humbën, justifikime njësoj si Lul Basha nuk ka më. Përgjegjësinë ta mbajnë ata që e kanë!”, shkruan ai në profilin e tij në rrjetin social Facebook, por pa përmendur emra.
Berisha gjatë Foltores, Rithemelimit dhe pas rimarrjes së PD-së, ka përfshirë në statut edhe “nenin Basha”, ku kryetari mbante përgjegjësinë e dorëheqjes nga partia në rast të humbjes së zgjedhjeve, por ditën e sotme në konferencë la të kuptohej se nuk do ta zbatonte edhe këtë premtim, sikurse shumë të tjerë më herët.