
“Janë raportuar raste të përsëritura të intimidimit sistematik të votuesve nga të ashtuquajturit patronazhistë, që përpiqen të ndikojnë në mënyrë të paligjshme dhe të papranueshme vullnetin e lirë të qytetarëve”, thuhet në një reaaim të zëdhënëses së Fushatës në Partinë e Lirisë, Arla Merja.
E plotë:
Deklarata e Zëdhënëses së Fushatës në Partinë e Lirisë, Znj. Arla Merja.
Të Lënë Qytetarë të Lirë: Mjaft me Intimidimin e Votuesve!
Në ditën e votimit, qytetarët shqiptarë duhet të ndihen të lirë dhe të sigurt për të ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar, pa frikë, presion apo ndikim politik. Fatkeqësisht, janë raportuar raste të përsëritura të intimidimit sistematik të votuesve nga të ashtuquajturit patronazhistë, që përpiqen të ndikojnë në mënyrë të paligjshme dhe të papranueshme vullnetin e lirë të qytetarëve.
Kjo sjellje është një shkelje flagrante e parimeve demokratike dhe përbën një cenim të drejtpërdrejtë të lirisë së votës. Askush nuk ka të drejtë të gjurmojë, kontrollojë apo presionojë qytetarët për bindjet dhe zgjedhjet e tyre politike.
U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të mos lejojnë askënd t’ua mohojë të drejtën për të zgjedhur lirshëm. Po ashtu, ftojmë institucionet përkatëse, organizatat monitoruese dhe aktorët ndërkombëtarë që të ndjekin me kujdes këto shqetësime dhe të ndërhyjnë për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor.
Demokracia nuk mund të ndërtohet mbi frikë, por mbi zgjedhje të lira.
Lërini qytetarët të lirë!