Lajme

Papa Françesku ndërron jetë – Ipeshkvijtë e Shqipërisë thirrje për lutje dhe përshpirtje

Në një lajm të dhimbshëm për gjithë botën katolike, Ati i Shenjtë, Papa Françesku, është ndarë nga jeta sot në mëngjes, rreth orës 07:35. Lajmin e hidhur e bëri të ditur Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë përmes Presidentit të saj, Imzot Gjergj Meta.

Në njoftimin zyrtar, Ipeshkvijtë e Shqipërisë u bëjnë thirrje të gjithë komuniteteve dioqezane, famullitare, rregulltare dhe besimtarëve që të bashkohen në lutje për shpirtin e Papës Françesku. Duke nisur nga mbrëmja e sotme, në të gjitha kishat do të mbahen momente lutjeje dhe përshpirtjeje, ndërsa këmbanat do të bien në shenjë zie.

“Papa Françesku iku duke na bekuar!”, shkruhet ndër të tjera në komunikatë, duke përkujtuar bekimin “Urbi et Orbi” të dhënë nga Ati i Shenjtë gjatë Pashkëve, si një testament i fundit i dashurisë së tij për njerëzimin.

Vizita e Papës në Shqipëri më 21 shtator 2014 kujtohet me nderim dhe mirënjohje. Ishte vizita e tij e parë në një vend evropian pas zgjedhjes në krye të Kishës Katolike – një akt që theksoi vlerësimin dhe përkujdesjen e tij për vendin tonë.

“Papa Françesku e udhëhoqi Kishën me përvujtëri dhe thjeshtësi, me një zë të fuqishëm në mbrojtje të më të varfërve, paqes dhe krijimit”, thuhet në njoftim. “I lutemi Hyjit që ta pranojë në banesat e amshuara të Mbretërisë së Tij”.

Në shenjë zie dhe përkujtimi, këmbanat e çdo katedraleje dhe kishe do të bien, ndërsa komunitetet katolike në gjithë vendin ftohen të bashkohen në lutje për shpirtin e Papës Françesku.

Krishti e pastë në Parajsë Papa Françeskun dhe i dhashtë dritën e amshuar!

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button