Kosova

OVL-UÇK kundër vendimit të Apelit për Pjetër Shalën: “Liria nuk gjykohet, ajo respektohet!”

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara në Hagë për të ulur me 5 vjet dënimin ndaj ish-komandantit të UÇK-së, Pjetër Shala.

Pavarësisht reduktimit të dënimit, OVL-UÇK ka shprehur zhgënjim të thellë, duke theksuar se kishin pritur një vendim lirues për Shalën, të cilin e konsiderojnë të pafajshëm.

“Edhe pse dënimi është ulur, ne kemi pritur me bindje të plotë një vendim lirues, sepse besojmë në pafajësinë e bashkëluftëtarëve tanë dhe në luftën tonë të drejtë për çlirim”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.

Sipas tyre, ky aktgjykim nuk e përmbyll padrejtësinë, por vetëm sa e thellon bindjen se kjo gjykatë ka karakter politik dhe nuk e zbaton drejtësinë mbi baza të barabarta dhe të paanshme.

“UÇK-ja nuk ka nevojë të mbrohet nga e vërteta. E vërteta historike është në anën tonë, dhe bashkëluftëtarët tanë nuk do t’i nëpërkëmbë askush me procese të motivuara politikisht”, thekson më tej OVL-UÇK.

Reagimi përfundon me mesazhin simbolik: “Liria nuk gjykohet, ajo respektohet!”

Ky qëndrim vjen në një kohë kur proceset në Gjykatën Speciale vijojnë të nxisin debat të gjerë në Kosovë mbi drejtësinë dhe karakterin e këtyre gjykimeve.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button