Granit Xhaka drejt Arabisë Saudite – Marrëveshje verbale me Neom SC, në pritje të konfirmimit zyrtar

Granit Xhaka është shumë pranë një transferimi të bujshëm në Arabinë Saudite. Sipas gazetarit të njohur gjerman, Florian Plettenberg, mesfushori kosovar që përfaqëson Zvicrën në arenën ndërkombëtare, ka arritur një marrëveshje verbale me klubin Neom SC.
Sipas informacioneve të publikuara nga “Sky Sport Germany” dhe të përcjella nga “Gazeta Express”, Xhaka do të përfitojë një pagë marramendëse prej 10 milionë eurosh në vit në rast se transferimi realizohet. Neom SC, që këtë sezon është promovuar në elitën e futbollit saudit – Saudi Pro League – do t’i paguajë Bayer Leverkusenit një shumë prej 6 milionë eurosh për kartonin e tij.
Megjithatë, marrëveshja mes dy klubeve ende nuk është finalizuar. Bisedimet vendimtare pritet të zhvillohen sot, me një përgjigje përfundimtare që mund të vijë brenda ditës. Klubi gjerman vlerëson kartonin e Xhakës në intervalin 8 deri në 15 milionë euro, çka mund të paraqesë pengesën e fundit për realizimin e transferimit.
Përveç Neom SC, interesim për shërbimet e 32-vjeçarit kanë shfaqur edhe klubet elitare italiane si Milan, Inter dhe Juventus, ndërsa Fenerbahçe në Turqi mbetet gjithashtu një opsion i hapur.
Neom SC, që këtë verë ka investuar tashmë 43 milionë euro në përforcime, synon ta përforcojë ndjeshëm skuadrën me emra të mëdhenj të futbollit evropian, dhe Xhaka shihet si një shtyllë e rëndësishme për projektin e tyre ambicioz në ligën saudite.