Kosova

OVL e UÇK-së pas shtyrjes së vendimit për ish-krerët në Hagë: Shtetet financuese të veprojnë menjëherë

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar pas shtyrjes së shpalljes së aktgjykimit në rastin e ish-krerëve të UÇK-së.

Në një komunikatë për media, thuhet se kjo është goditje ndaj drejtësisë dhe të drejtave të njeriut.

Mes tjerash, është bërë thirrje nga shtetet financuese të Gjykatës Speciale që të veprojnë në lidhje me këto zhvillime.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së e konsideron shtyrjen e vendimit për ish udhëheqësit e UÇK-së në Hagë si një tjetër goditje të rëndë ndaj drejtësisë dhe të drejtave themelore njerëzore. Gati gjashtë vjet paraburgim pa një vendim përfundimtar nuk është procedurë. Është dënim pa aktgjykim. Asnjë gjykatë e financuar në emër të demokracisë nuk mund të normalizojë një trajtim të tillë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, lufta e të cilëve i hapi rrugën lirisë dhe shtetësisë së Kosovës.

Vonesa thellon një padrejtësi të papranueshme dhe gërryen besueshmërinë e çdo institucioni që pretendon se mbron sundimin e ligjit. Dinjiteti i të akuzuarve, i familjeve të tyre dhe i popullit të cilit i shërbyen, nuk mund të mbahet peng i shtyrjeve të pafundme.

Kërkojmë që shtetet demokratike që financojnë dhe mbështesin këtë gjykatë të veprojnë menjëherë. Nuk duhet të lejojnë shkeljen e vazhdueshme të të drejtave të atyre burrave që vendin nuk e kanë atje, por pranë familjeve dhe popullit të tyre”, thuhet në reagim.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button