Osmani takon presidentin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s: Kosova po forcon rolin në strukturat euroatlantike

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me presidentin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Marcos Perestrello, me të cilin ka biseduar për rolin në rritje të Kosovës brenda kësaj Asambleje dhe për bashkëpunimin e ardhshëm me Aleancën.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Osmani ka bërë të ditur se e ka falënderuar Perestrellon për nominimin dhe vendimin e Asamblesë që ta nderojë atë me Çmimin “Gratë, Paqja dhe Siguria”, duke theksuar se ky vlerësim u dedikohet të gjitha grave të Kosovës.
“Rikonfirmova se Kosova do të shfrytëzojë plotësisht këtë mundësi si pjesë e aspiratës sonë më të gjerë për anëtarësim në NATO, që mbetet prioritet i politikës sonë të jashtme dhe çështje e rëndësishme për sigurinë kombëtare”, ka theksuar Osmani.
Takimi u zhvillua pas vendimit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s për avancimin e statusit të Kosovës në anëtare të asociuar, një hap që Presidentja e ka cilësuar si të rëndësishëm në rrugëtimin euroatlantik të vendit.



