Osmani takohet me Senatorin Andy Kim në SHBA: Diskutohet forcimi i partneritetit Kosovë-SHBA

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po vazhdon vizitën e saj zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku është takuar me senatorin amerikan Andy Kim.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Osmani bëri të ditur se në këtë takim është diskutuar për thellimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, me theks të veçantë në fushat e sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe inovacionit.
“Kosova është e bekuar me mbështetjen e fuqishme dhe të palëkundur të Kongresit Amerikan! Në Washington D.C., kisha kënaqësinë ta takoj Senatorin Andy Kim, për të diskutuar forcimin e partneritetit strategjik midis Kosovës dhe Amerikës në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët,” shkroi Osmani.
Vizita e Presidentes Osmani në SHBA po zhvillohet në një kohë kur përkrahja e Kongresit Amerikan për Kosovën vlerësohet si kyçe për avancimin e pozitës ndërkombëtare të vendit dhe për thellimin e bashkëpunimit bilateral.