Kosova

Osmani pranon se paguan mijëra euro për shkollimin privat të vajzave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar sot se shpenzon mijëra euro në vit për shkollimin privat të dy vajzave të saj, por ka mohuar që totali i shpenzimeve të arrijë në 15 mijë euro, siç është raportuar së fundi.

Këto deklarata ajo i bëri në një bashkëbisedim me gazetarët në Presidencë, një ditë pasi kameramani i mediumit Paparaci, Jetmir Muji, u arrestua nga njësitë e mbrojtjes së afërt të presidentes teksa po incizonte automjetet e saj pranë një shkolle private në Prishtinë.

“Nuk është ai çmimi total. Natyrisht që është çmim i lartë, për fat të keq. Sikurse shumë gjëra të tjera, në Kosovë ka çmime të larta”, tha Osmani.

Ajo theksoi se për më shumë se dy dekada ka punuar në disa pozita paralelisht, duke përfshirë angazhime akademike në Kosovë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe për këtë arsye ka pasur gjithmonë mundësi financiare për të mbuluar shkollimin privat të fëmijëve.

“Derisa jam bërë kryetare e Kuvendit dhe presidente, i kam mbajtur tri vende të punës. Në aspektin financiar, edhe shumë para se të hyja në politikë, kam pasur mundësi që të paguajë shkollim privat për vajzat e mia. Në qoftë se unë nuk shpenzoj për shkollimin e vajzave të mia, për çka do të shpenzoj?”, u shpreh Osmani, duke shtuar se nuk ka shpenzime të luksit apo të jetës mondane.

Presidentja e konsideroi të lartë koston e shkollimit privat në Kosovë, por tha se shifra që përmendin disa media është e ekzagjeruar.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button