Osmani nis sot takimet me liderët politikë për të zgjidhur ngërçin politik

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të nisë sot takimet me liderët e partive politike në përpjekje për të zgjidhur ngërçin institucional që ka bllokuar funksionimin normal të Kuvendit.
Në ditën kur pritet të mbahet vazhdimi i 16-të me radhë i seancës konstituive të Kuvendit, Osmani do të presë në Presidencë përfaqësuesit e subjekteve politike që kanë pranuar ftesën e saj.
Takimet janë paralajmëruar të fillojnë në orën 13:00 dhe synojnë të gjejnë një zgjidhje për situatën e krijuar pas mungesës së marrëveshjes për formimin e institucioneve të reja.
Kjo nismë e Presidentes nuk është e para në përpjekjet për të tejkaluar ngërçin aktual, por vjen në një moment kritik kur presioni publik dhe ndërkombëtar për zhbllokimin e institucioneve është në rritje.
Të gjitha partitë e ftuara kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këto takime, duke lënë hapësirë për mundësinë e arritjes së një kompromisi politik.