Osmani nga SHBA: Ka mbetur pak kohë për konstituimin e Kuvendit – kërkon rol më të madh të Amerikës në dialogun Kosovë-Serbi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit të saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka folur për një sërë çështjesh me rëndësi për vendin, përfshirë krizën politike në Kosovë, dialogun me Serbinë dhe zhvillimet më të fundit të sigurisë. Në një diskutim të mbajtur në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, Osmani bëri thirrje për veprim të shpejtë nga spektri politik kosovar dhe theksoi rëndësinë e rolit amerikan në proceset kyçe për të ardhmen e vendit.
Lidhur me krizën politike të krijuar nga ngërçi në Kuvend, presidentja kujtoi se afati 30-ditor i vendosur nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit po shkon drejt fundit dhe se kanë mbetur pak më shumë se dy javë deri në skadimin e tij më 26 korrik.
“Ka shumë gjëra që po dëmtojnë interesat e shtetit dhe të qytetarëve tanë. Prandaj, i bëj thirrje liderëve që të sigurojnë numrat sa më shpejt që të jetë e mundur,” tha Osmani, duke shtuar se po punohet me partitë për respektimin e këtij afati.
Në lidhje me dialogun Kosovë–Serbi, Osmani theksoi se për një proces të suksesshëm është e domosdoshme prania e SHBA-ve në tavolinën e bisedimeve.
“Trump po tregon që ka vëmendjen tek Ballkani Perëndimor, veçanërisht tek Kosova dhe Serbia. Duhet një rol më i fuqishëm amerikan. Nëse duam sukses, duhet Amerika në tavolinë,” u shpreh Osmani.
Ajo komentoi edhe deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump, i cili kishte pohuar se ka parandaluar një sulm të Serbisë ndaj Kosovës. Osmani i konfirmoi këto deklarata, duke thënë se bëhet fjalë për zhvillime shumë të fundit dhe se përpjekjet destabilizuese të Serbisë ende po vazhdojnë.
“Presidenti Trump e ka parandaluar një përshkallëzim të mundshëm së fundi. S’po flasim për vitin 2023 apo 2020. Po flasim për zhvillimet shumë të fundit… Kam informacione shumë kredibile. E di çfarë po flasë,” deklaroi Osmani, duke përmendur edhe rolin e KFOR-it në ruajtjen e sigurisë.