
Deputetët e zgjedhur në zgjedhjet e 9 shkurtit do të mblidhen sot sërish në përpjekje për ta konstituar Kuvendin e Kosovës, në atë që shënon tentativën e 45-të brenda pesë muajve.
Procesi vazhdon të jetë i bllokuar, pasi partitë politike nuk po arrijnë konsensus për tejkalimin e ngërçit institucional, përkundër thirrjeve të vazhdueshme për reflektim dhe respektim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Vetëvendosje këmbëngul në kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit dhe në votimin e fshehtë, ndërsa partitë e ish-opozitës kërkojnë marrëveshje dhe respektim të vendimit të Kushtetueses, duke kritikuar gjithashtu kryesuesin e seancës, Avni Deharin, për veprime të njëanshme dhe ndërprerje arbitrare të seancave.
Në seancat e fundit, përfaqësues të subjekteve tjera kanë përdorur minutazhin e shkurtër në foltore për t’i bërë thirrje Vetëvendosjes dhe kryesuesit të ndjekin kornizën kushtetuese, por deri më tani nuk është vërejtur ndonjë reflektim në këtë drejtim.
Ndërkohë, afati 30-ditor i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit është drejt përfundimit. Ky afat përfundon më 26 korrik, ndërsa vendi rrezikon të përballet me një krizë të thellë kushtetuese në rast të dështimit për të formuar institucionet.