Operacion ndërkombëtar në Shqipëri: Arrestohen 10 persona, sekuestrime pronash dhe pasuri

Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Zbatim të Ligjit (EUROPOL) ka njoftuar për shkatërrimin e një rrjeti të organizuar kriminal shqiptar, të përfshirë në trafikimin e tonelatave kokainë dhe pastrimin e parave.
Gjatë operacionit të zhvilluar më 7 dhe 8 gusht në Shqipëri, në bashkëpunim me forcat e rendit të Belgjikës, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Holandës, u arrestuan dhjetë persona të dyshuar. Aksioni u mbështet nga EUROPOL, pas një hetimi të gjerë mbi klane shqiptare të lidhura me organizata kriminale ndërkombëtare aktive në të gjithë BE-në dhe më gjerë.
Hetimet zbuluan se rrjeti kishte dërguar sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine drejt porteve kryesore të BE-së, duke përdorur komunikime të koduara përmes aplikacionit SkyECC. Vetëm nga një ngarkesë e zbuluar, kreu i organizatës përfitoi mbi 40 milionë dollarë amerikanë.
Kreu i grupit, i cili ndodhej në kërkim ndërkombëtar, ishte dënuar nga drejtësia italiane me 21 vite burg për vrasje, rrëmbim, tentativë fshehjeje kufome, kërcënim, posedim të paligjshëm të eksplozivëve dhe municioneve, si dhe pengim të drejtësisë. Para arrestimit, ai koordinonte dërgesat e drogës dhe investonte fitimet në prona e biznese në Shqipëri dhe vende të tjera të BE-së.
Gjatë operacionit u sekuestruan një hotel, prona të shumta, biznese dhe prova të mëdha fizike e digjitale. EUROPOL dërgoi në Tiranë një ekspert të krimit të organizuar për të lehtësuar bashkëpunimin mes forcave shqiptare dhe atyre evropiane.