Gjykata e Shkallës së Dytë jep të drejtë ZRRE-së, 1 300 biznese prodhuese kalojnë detyrimisht në “tregun e lirë” të energjisë

Nuk ka as anulim, as shtyrje, e as pezullim të vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për kalimin e detyrueshëm të rreth 1 300 bizneseve prodhuese të vendit në të ashtuquajturin “treg të lirë” të energjisë elektrike.
Shkalla e Dytë e Gjykatës Komerciale ka miratuar ankesën e ZRRE-së dhe ka ndryshuar vendimin e Shkallës së Parë, e cila më herët e kishte shpallur të paligjshëm njoftimin e ZRRE-së dhe e kishte pezulluar zbatimin e tij deri në një vendim përfundimtar.
“Aprovohet si e bazuar ankesa e të paditurit Zyra e Rregullatorit për Energji… Refuzohet si e pabazuar kërkesa e paditësit për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit Nr.272/23 të datës 05.04.2025 dhe njoftimit të datës 12.03.2025,” thuhet në aktgjykimin e Shkallës së Dytë, të marrë më 7 gusht 2025.
Ky vendim vjen pas raportimeve për presion të madh mbi Gjykatën Komerciale, Dhomat e Shkallës së Dytë, për të vendosur në favor të ZRRE-së.
Në prill, Gjykata Komerciale e Shkallës së Parë kishte vendosur të anulonte plotësisht njoftimin e ZRRE-së dhe ta pezullonte vendimin, duke argumentuar se bizneset ishin futur në “treg të lirë” pa u përmbushur kushtet e krijimit të tij dhe se kjo do t’i ekspozonte ndaj çmimeve katër deri pesë herë më të larta.
Me vendimin e ri, kalimi i bizneseve në tregun e lirë bëhet i menjëhershëm dhe i detyrueshëm.