OKB-ja kërkon fundin e sundimit të Hamasit në Gaza, Izraeli dhe SHBA-ja kundër

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi me shumicë dërrmuese një dokument që bën thirrje për t’i dhënë fund sundimit të Hamasit në Rripin e Gazës dhe për t’i hapur rrugë një zgjidhjeje me dy shtete.
142 vende anëtare, mes tyre edhe Gjermania, votuan pro dokumentit, dhjetë shtete votuan kundër, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelin, ndërsa 12 të tjera abstenuan.
Në dokument theksohet se, si pjesë e përfundimit të konfliktit në Gaza, Hamasi duhet t’i dorëzojë armët Administratës Palestineze me mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar. Po ashtu, dënohet sulmi terrorist i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor. Teksti u hartua nga 17 vende, përfshirë Britaninë e Madhe, Kanadanë, Brazilin dhe Jordaninë.
Megjithatë, Izraeli dhe SHBA-ja e kritikuan ashpër dokumentin, duke e cilësuar të njëanshëm. SHBA-ja e quajti votimin një “reklamë në kohën e gabuar”, që sipas saj minon përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit. Ndërsa Izraeli e hodhi poshtë rezolutën, duke e përshkruar si “teatër politik”.