Nju Orlins në rrezik zhytjeje deri në vitin 2050: Qytetet bregdetare amerikane kërcënohen nga përmbytjet masive

Nju Orlins, qyteti historik në shtetin e Luizianës, përballet me rrezikun serioz të zhytjes nën ujë deri në vitin 2050. Studimet e fundit tregojnë se qyteti po fundosej me një ritëm deri në 5 centimetra çdo vit, kryesisht për shkak të ndërtimit mbi toka të buta si torfe dhe argjilë, të cilat kanë humbur qëndrueshmërinë.
Pas ndërtimit të digave pas Uraganit Katrina, është penguar grumbullimi natyror i sedimenteve, duke përshpejtuar procesin e zhytjes. Sipas NASA-s dhe Universitetit Shtetëror të Luizianës, zonat më të prekura janë ato industriale dhe lagjet Upper dhe Lower 9th Ward.
Nju Orlins nuk është rasti i vetëm alarmant. Një studim nga Universiteti Virginia Tech paralajmëron se mbi 24 qytete bregdetare amerikane, përfshirë edhe Majamin, rrezikojnë përmbytje masive deri në mesin e shekullit. Mbi 500 mijë banorë dhe 109 mijë shtëpi mund të preken, ndërsa dëmet ekonomike parashikohen të kalojnë vlerën e 100 miliardë dollarëve.
Studimi gjithashtu vë në dukje se komunitetet me pakica dhe ato me të ardhura të ulëta janë më të ekspozuara ndaj pasojave, duke thelluar pabarazitë sociale ekzistuese.
Rritja e nivelit të detit është përshpejtuar ndjeshëm gjatë dekadave të fundit dhe pritet të vazhdojë, pavarësisht përpjekjeve globale për frenimin e ngrohjes klimatike. Ekspertët paralajmërojnë se, nëse nuk ndërmerren masa urgjente, qytete historike si Nju Orlins mund të zhduken para fundit të këtij shekulli.