NJË MILIARD EURO PËR BIZNESET: KUSH PËRFITON DHE KUSH E BART RREZIKUN? QEVERIA DUHET TË JAPË LLOGARI
Analize e redaksisë

Paratë e taksapaguesve nuk janë pronë e qeverisë. Ato janë burime të shoqërisë, administrimi i të cilave kërkon ligjshmëri, transparencë dhe rezultate të matshme. Çdo vendim për t’i përdorur në mbështetje të sektorit privat duhet të shpjegojë qartë çfarë përfiton qytetari, cilin problem ekonomik zgjidh ndërhyrja dhe çfarë rreziku merr përsipër buxheti.
Mbështetja publike për bizneset nuk mund të arsyetohet vetëm me premtimin se ato do të investojnë, do të prodhojnë dhe do të punësojnë. Këto janë rezultate që duhen provuar dhe matur. Kur shteti merr përsipër detyrime financiare, përgjegjësia e tij është të sigurojë që përfitimi publik e justifikon koston dhe që rreziku nuk u transferohet qytetarëve ndërsa përfitimi mbetet te operatorët privatë.
Kjo kërkesë bëhet edhe më e rëndësishme kur shëndetësia, arsimi, ujësjellësi, kanalizimet dhe transporti publik kanë nevoja të mëdha për përmirësim. Përballë këtyre nevojave, qeveria duhet të argumentojë përparësitë e saj dhe të shpjegojë pse mekanizmi i zgjedhur për mbështetjen e biznesit është përdorim i arsyeshëm i kapaciteteve financiare të shtetit.
Kushtetuta e Kosovës e mbështet rregullimin ekonomik në ekonominë e tregut me konkurrencë të lirë. Ajo kërkon barazi ligjore për ndërmarrjet dhe promovimin e mirëqenies përmes zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Njëkohësisht, neni 120 përcakton se financat publike duhet të administrohen sipas parimeve të llogaridhënies, efektshmërisë, efikasitetit dhe transparencës. Këto parime duhet të jenë standardi i vlerësimit të çdo programi qeveritar.
Kosova ka kuadër ligjor për ndihmën shtetërore, prandaj mbështetja për ndërmarrjet nuk është e ndaluar në vetvete. Por lejueshmëria e saj varet nga respektimi i kushteve dhe procedurave përkatëse. Ekzistenca e mundësisë ligjore nuk e zëvendëson detyrimin për të provuar nevojën ekonomike dhe interesin publik të ndërhyrjes.
Në këtë kuptim duhet shqyrtuar edhe programi prej 1 miliard eurosh për prodhim dhe industri. Në paraqitjen zyrtare të programit qeveritar, kjo shumë lidhet me garantimin e kredive për investime në kapacitete të reja prodhuese. Prandaj duhet dalluar vëllimi i kredive që synohet të mbështeten nga shuma që buxheti shpenzon ose rrezikon realisht.
Garancia shtetërore nuk është shpërndarje e drejtpërdrejtë e të gjithë shumës nga buxheti, por as premtim pa pasoja financiare. Nëse huamarrësit nuk i përmbushin detyrimet, pjesa e garantuar mund të kthehet në detyrim për shtetin. Për këtë arsye, publiku duhet të dijë kufirin e ekspozimit, kushtet e aktivizimit të garancive, humbjet e pritshme dhe masat për mbrojtjen e buxhetit.
Bankat komerciale kanë rol qendror në financimin e ndërmarrjeve dhe në vlerësimin e aftësisë së tyre për të shlyer kreditë. Nëse shteti merr përsipër pjesë të rrezikut, duhet të sigurojë që bankat ruajnë përgjegjësi të mjaftueshme financiare dhe nxitje për vlerësim rigoroz. Përndryshe, mekanizmi mund të dobësojë disiplinën kreditore dhe të krijojë përfitime private mbi rrezik publik.
Pyetja tjetër është nëse garancia do të mundësojë investime që, pa këtë mbështetje, nuk do të realizoheshin. Nëse përfitues bëhen kryesisht ndërmarrje që do të siguronin kredi edhe pa ndërhyrjen shtetërore, dobia shtesë për ekonominë mbetet e diskutueshme. Ndihma duhet të adresojë pengesa të identifikuara, me kritere të hapura dhe rezultate të verifikueshme.
Përgjegjësia politike nuk mund të fshihet pas këshilltarëve
Qeveria ka numër të madh zyrtarësh dhe ekspertësh ekonomikë të paguar nga taksapaguesit. Në krye të dikasterit të industrisë është M. K.-L, karriera publike dhe politike e së cilës shtrihet në më shumë se dy dekada dhe përfshin poste në pushtetin qendror e lokal, ndër to zëvendëskryeministre, ministre dhe kryetare komune. Ky qarkullim i gjatë në pozita me përgjegjësi e bën të arsyeshme pyetjen se përse figura të caktuara trajtohen vazhdimisht si të pazëvendësueshme.
Ministrja duhet ta dijë saktë, qoftë edhe përmes këshilltarëve të saj të paguar me para publike, se çdo mekanizëm ekonomik kërkon analizë të kostos, rrezikut dhe përfitimit. Përvoja e gjatë në institucione duhet të shoqërohet me aftësi për të shpjeguar vendimet dhe për të mbajtur përgjegjësi për pasojat e tyre. Qytetari ka të drejtë të kërkojë argumente dhe rezultate nga drejtuesit e institucioneve.
Po kështu, qeveria duhet të shfrytëzojë kapacitetet e administratës dhe të dhënat e institucioneve statistikore përpara se të angazhojë shërbime të jashtme. Konsulenca mund të jetë e arsyeshme kur kërkohet ekspertizë që mungon brenda institucioneve, por nevoja, kostoja dhe produkti i saj duhet të dokumentohen. Takimet dhe prezantimet publike nuk e zëvendësojnë analizën profesionale.
Kërkesa dhe prodhimi duhet të trajtohen së bashku
Politika ekonomike duhet të mbështetet në marrëdhënien ndërmjet fuqisë blerëse të qytetarit dhe aftësisë prodhuese të ekonomisë. Kërkesa ndikon në shitjet dhe investimet e ndërmarrjeve, ndërsa produktiviteti, teknologjia dhe aftësitë profesionale përcaktojnë mundësinë për ta përmbushur atë.
Rritja e konsumit pa zgjerim të prodhimit vendor, mund të përkthehet në importe më të larta. Mbështetja e prodhimit pa analizë të tregut, mund të krijojë kapacitete që nuk gjejnë blerës. Prandaj, qeveria duhet të identifikojë pengesat konkrete: mungesën e financimit, kostot e energjisë, mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar, teknologjinë e vjetruar apo vështirësitë për të hyrë në tregje.
Edhe politikat për pagën minimale duhet të shqyrtohen në raport me koston e jetesës, produktivitetin, punësimin dhe zbatimin e ligjit. Përmirësimi i mirëqenies kërkon që të ardhurat e qytetarëve dhe kapacitetet e ekonomisë të zhvillohen në mënyrë të qëndrueshme.
Shërbimet publike mbeten provë e cilësisë së qeverisjes
Qytetari e vlerëson qeverisjen përmes shërbimit që merr në spital, cilësisë së shkollimit, furnizimit me ujë, mjedisit dhe mundësisë për të udhëtuar në kushte të sigurta. Përmirësimi i këtyre shërbimeve ka vlerë shoqërore dhe ekonomike: shëndeti, arsimi dhe infrastruktura cilësore rrisin mundësinë për punë, prodhim dhe investime.
Në ujësjellës, përgjegjësia duhet kërkuar mbi bazën e treguesve të performancës, humbjeve të ujit, arkëtimit dhe cilësisë së shërbimit. Tarifat rregullohen nga ARRU, prandaj pozita monopoliste e operatorëve nuk nënkupton se ata mund të vendosin çfarëdo çmimi. Megjithatë, rregullimi tarifor nuk i përjashton drejtuesit nga detyrimi për menaxhim efikas dhe llogaridhënie.
Në arsim dhe shkencë, kritika duhet të drejtohet ndaj ndërhyrjeve politike, emërimeve pa meritë dhe kualifikimeve të fituara në kundërshtim me standardet. Integriteti akademik gjykohet nga cilësia dhe ligjshmëria e punës. Pozita shtetërore, fuqia ekonomike ose afërsia partiake nuk duhet të shërbejnë si rrugë për përfitimin e titujve dhe posteve akademike.
Edhe politikat mjedisore, përfshirë pagesën e qeseve plastike, kërkojnë vlerësim të rezultateve. Duhet të bëhen publike të dhënat për ndryshimin e përdorimit, ndikimin në mbeturina dhe kostot për konsumatorët. Çdo pretendim për përfitimin financiar të operatorëve duhet të dallojë të ardhurat nga fitimi neto dhe të mbështetet në llogaritje të verifikueshme.
Mbështetja publike duhet të ketë kushte dhe pasoja
Bashkëpunimi ndërmjet shtetit dhe biznesit mund të prodhojë dobi shoqërore kur objektivat janë të qarta dhe përgjegjësitë të përcaktuara. Rreziku lind kur përzgjedhja bëhet e mbyllur, rezultatet mbeten të paqarta dhe dështimi financiar bartet te qytetarët.
Për çdo skemë mbështetëse duhet të publikohen baza ligjore, kriteret, përfituesit, ekspozimi financiar dhe rezultatet. Vlerësimi duhet të tregojë sa investime shtesë u realizuan, sa vende pune të qëndrueshme u krijuan dhe çfarë përfitimi mori ekonomia kundrejt kostos publike. Kur shkelen kushtet, duhet të zbatohen mekanizmat përkatës të kthimit të mbështetjes dhe të përgjegjësisë.
Paraja publike nuk duhet të shërbejë për krijimin e klientelës ekonomike ose për mbulimin e vendimeve të dobëta afariste. Çdo euro e shpenzuar dhe çdo detyrim i garantuar nga shteti, kërkon arsyetim të hapur. Qeveria e përmbush përgjegjësinë e saj kur dëshmon se ndërhyrja sjell vlerë për shoqërinë dhe se interesat e taksapaguesve mbrohen gjatë gjithë procesit.



