Nisma Socialdemokrate e gatshme të mbështesë çdo koncept politik që çon drejt krijimit të institucioneve

Artan Nimani nga Nisma Socialdemokrate ka deklaruar se ky subjekt politik është i gatshëm të mbështesë çdo koncept politik që siguron shumicën shqiptare në Kuvend dhe çon drejt krijimit të institucioneve të vendit. Në një intervistë për Klan Kosova, ai theksoi se Nisma, me tre deputetët e saj, nuk ka paragjykime për partneritet, për aq kohë sa synimi është tejkalimi i krizës institucionale.
“Nisma mbështet një plan i cili arrin shumicën shqiptare parlamentare, por edhe krijimin e institucioneve të Kosovës,” tha Nimani, duke bërë të qartë se vullneti politik ekziston nga ana e tyre.
Ai foli edhe për zhvillimet në raport me Lëvizjen Vetëvendosje dhe bisedimet që janë zhvilluar mes kryetarit të Nismës, Fatmir Limajt, dhe liderit të VV-së, Albin Kurti. Sipas Nimanit, Limaj ka paraqitur dy opsione që në fillim të negociatave: “A dëshironi që të keni mbështetje për dalje nga kriza pa marrë pjesë prej asnjë prej strukturave qeverisëse të vendit?”, tha ai.
Sipas tij, Kurti ka shprehur dëshirë për një partneritet të plotë me Nismën, përfshirë edhe diskutimin për pozicionin e kryetarit të Kuvendit. “Por, megjithëse janë bërë disa hapa nga Vetëvendosje dhe janë zhvilluar diskutime ndërmjet liderëve politikë, ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje e formalizuar,” sqaroi Nimani.