Lajme
Kryesore

Nis numërimi i votave nga Greqia në Parkun Olimpik, PD nën vëzhgim të afërt të procesit

Në Parkun Olimpik ka nisur sot numërimi i rreth 50 mijë votave të ardhura nga Greqia, të cilat më herët ishin lënë mënjanë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pas kontestimeve të Partisë Demokratike. Procesi po zhvillohet nën vëzhgimin e përfaqësuesit të PD-së, Agron Gjekmarkaj.

Votat e ardhura nga Greqia përbëjnë një pjesë të rëndësishme të votës së diasporës, por gjithashtu edhe më të diskutueshmen, duke ngjallur debat dhe tension politik mes palëve. PD ka ngritur dyshime mbi legjitimitetin dhe mënyrën e administrimit të këtyre zarfeve.

Ndërkohë, ka përfunduar numërimi i votave të ardhura nga shtetet e tjera. Nga 246 mijë shqiptarë që u regjistruan në platformën online të KQZ për të votuar nga jashtë vendit në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, vetëm 194 mijë prej tyre dërguan zarfet me votën përkatëse.

Rreth 20 mijë zarfe nuk mbërritën kurrë në destinacion, ndërsa dhjetëra mijëra emigrantë të tjerë, megjithëse të regjistruar, nuk e shfrytëzuan të drejtën për të votuar, duke mos kthyer fare zarfin.

Numërimi i votave nga diaspora është konsideruar një element kyç për balancat finale të këtyre zgjedhjeve, ndërsa tensionet politike mbeten të larta për mënyrën e menaxhimit dhe transparencën e procesit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button