“Airbus” prezanton avionin revolucionar ZeroE me energji të pastër, i gatshëm për fluturime në mesin e viteve 2030

Kompania gjigante e aviacionit, Airbus, ka prezantuar projektin e saj më të fundit dhe më ambicioz, ZeroE, një avion komercial që funksionon plotësisht me hidrogjen, duke shënuar një hap të madh drejt aviacionit të qëndrueshëm. Sipas CNN Travel, ky model i ri i avancuar do të jetë i pajisur me katër motorë elektrikë të veçantë, dhe pritet të hyjë në përdorim në mesin e viteve 2030, me një shtyrje të vogël nga data fillestare e planifikuar për vitin 2035.
ZeroE synon të revolucionarizojë industrinë ajrore duke e kthyer atë në një sektor me emetime zero karboni, pasi mbetja e vetme nga procesi i energjisë do të jetë uji. Kjo është e mundur vetëm nëse hidrogjeni përdoret nga burime të rinovueshme, duke mundësuar edhe fluturime transatlantike pa ndotje.
Projekti i Airbus nisi që në vitin 2020 dhe ka në fokus dy teknologji të avancuara, përfshirë djegien direkte të hidrogjenit. ZeroE është pjesë e iniciativës globale Hydrogen Hubs at Airports, që ka për qëllim ngritjen e një rrjeti ndërkombëtar për prodhimin dhe shpërndarjen e hidrogjenit në aeroportet kryesore të botës.
Në këtë nismë janë përfshirë dhjetëra kompani të mëdha ajrore, si Delta Air Lines, SAS, EasyJet, Wizz Air, Iberia dhe Air New Zealand, të cilat po kontribuojnë për të shtyrë përpara një vizion të përbashkët për të ardhmen e gjelbër të udhëtimeve ajrore.
Me ZeroE, Airbus shënon një moment historik në drejtim të reduktimit të ndotjes dhe avancimit të teknologjive të pastra në transportin ndërkombëtar.