Nigel Farage pranon ftesën e Ramës për të vizituar Shqipërinë: “Do të diskutojmë kthimin e të burgosurve shqiptarë”

Deputeti britanik dhe figura e njohur politike Nigel Farage ka pranuar publikisht ftesën e kryeministrit Edi Rama për të vizituar Shqipërinë, pas debatit të ashpër që ka shpërthyer mes tyre lidhur me deklaratat e Farage se “një në 50 shqiptarë në Britani është në burg”.
Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale, Farage konfirmoi se do të udhëtojë drejt Shqipërisë si “i ftuar nderi” i Ramës, ndërsa theksoi se në këtë vizitë do të diskutohet çështja e kthimit të të burgosurve shqiptarë që ndodhen në burgjet britanike.
“E pranoj ftesën e kryeministrit Edi Rama për të vizituar Shqipërinë si i ftuar nderi. Do të diskutojmë kthimin e të burgosurve shqiptarë,” shkruan Farage krahas videos, në të cilën rithekson bindjen për saktësinë e shifrave të tij dhe akuzon Ramën për hipokrizi.
Farage, i njohur për qëndrimet e tij të forta kundër emigracionit dhe për mbështetjen ndaj Brexit-it, i qëndron deklaratave të tij duke thënë: “Ne i kemi kontrolluar dhe ri-kontrolluar shifrat tona. Jemi në rregull. Por Edi thotë, jo, keni gabim, sepse ka mijëra emigrantë të paligjshëm nga Shqipëria në Britani. Epo, kjo do të thotë që numri i kriminelëve nuk është një në 50. Ndoshta është një në tre. Ndoshta një në katër. Nuk e di.”
Ai ironizon Ramën duke e quajtur “gjigand njeri” dhe e akuzon për kontradiktë, duke sjellë në vëmendje marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për pranimin e azilkërkuesve të dështuar, ndërkohë që kritikon Britaninë për politikat e saj të migracionit.
Vizita e paralajmëruar e Farage në Shqipëri pritet të tërheqë vëmendje të madhe mediatike dhe politike, ndërsa debati mbi shifrat reale dhe çështjen e të burgosurve shqiptarë në Britani vazhdon të nxisë përplasje verbale mes dy figurave publike.