Lajme

Nga Amerika Latine në Tiranë, linja e re e tregtisë së trupit/ Braziliania: Fitimet i ndaj përgjysmë

Në apartamente të zakonshme, pas dritareve të mbyllura dhe qirave ditore, lulëzon një industri e heshtur: tregtia e trupit. Shqipëria, po shndërrohet në një stacion tranzit dhe destinacion për prostitucionin e organizuar ndërkombëtar. Si funksionon ky rrjet? Kush janë përfituesit dhe çfarë bën shteti në raste të tilla?

Dëshmia e një shtetaseje braziliane, L. Da S.C, e cila pranoi të rrefejë historinë e saj për “Sinjalizo”në kushtet e anonimatit hedh dritë mbi një rrjet të mirëstrukturuar që e ka kthyer Shqipërinë në një stacion të ri për tregtinë e trupit.

Dëshmia e një vajze braziliane

“Ketë vit mbusha 30 vjeç, kam ardhur nga Brazili, nuk kisha dëgjuar më parë për Shqipërinë, ardhja ime ndodhi përmes rrjeteve sociale, komunikova me një person që u prezantua si Aleksandër. Më premtoi punë dhe akomodim. Kur mbërrita në Rinas, më priti një i panjohur që më çoi direkt në një apartament. Fitimet i ndaj përgjysmë me të. Natyrisht nuk ndihem mirë me atë që kam zgjedhur të bej por nuk kisha zgjidhje tjetër më nevojiteshin para”

30 vjeçarja braziliane nuk është vetëm si historia saj ka shumë të tjera. Të vetëdijshme për rrugën që kanë zgjedhur ato thonë se jo pak herë kanë frikë për jetën e tyre. Frika se mund të përballën me dhunë është e përditshme.

Bashkë me L.S.C ushtrojnë të njëjtin aktivitet edhe dy shoqe të saj nga Brazili, që kishin ndjekur të njëjtën rrugë – kontakte në rrjetet sociale, një pritës në Shqipëri dhe më pas shpërndarje të fitimeve. Historia e tyre është dhe historia e dhjetra vajzave që kanë zgjedhur Shqipërinë për të njëjtin aktivitet. Është pjesë e një zinxhiri të gjatë dhe të mirëorganizar të trafikimit dhe shfrytëzimit të prostitucionit që ka filluar të marrë përmasa shqetësuese në vend.

Roli i Shqiptarëve dhe si funksionon ky rrjet?

Abuzimi me vajza që jo pak herë janë fare të reja, apo që bien edhe pre e dhunës e abuzimeve deri në raste me të renda janë disa nga pasojat e ketij organizimi kriminal. Një sistem që nis jashtë Shqipërisë, por që rol luajnë shqiptarët.

Sipas Arbër Zemani -Shef i sektorit të trafiqeve të paligjshme dhe narkotikeve në Policinë e Tiranës, rrjetet kriminale funksionojnë përmes bashkëpunimeve ndërkufitare dhe përdorin metoda gjithnjë e më të sofistikuara për të fshehur aktivitetin. Por megjithatë jo pak herë këto Airbnb apo shtëpi të përshtatura për prostitucion dihen nga banorë të pallateve apo të lagjeve.

Gëzimi është administrator në një pallat pranë zonës së “21 dhjetorit” ai thotë se janë disa shtëpi në pallat ku hyjnë dhe dalin burra të panjohur dhe që nuk frekuentojnë banoret sepse ai tashme i njeh thuajse të gjithë, por kjo nisi të ndodhë kur erdhën vajza nga jashtë.

Mesa duket ky fenomen është jo pak i njohur në Tiranë, por teksa të gjithë e shohin askush nuk thotë asgjë. Indiferentizmi në shoqërinë tonë dukët se ka shkuar shumë larg.

Rrugët që ndiqen-Si vijnë në Shqipëri?

Teksa disa vite më parë raste të tilla ishin të pakta, vitin e fundit janë bërë të zakonshme. Vajzat, kryesisht që vijnë nga Brazili, Kolumbia, Venezuela dhe Turqia, udhëtojnë përmes shteteve europiane dhe vijnë në Shqipëri ku priten nga shqiptarë që i strehojnë dhe koordinojnë aktivitetin e tyre.

“Komunikimi me rekrutuesit ndodh në rrjete sociale, zakonisht përmes numrave joshqiptarë. Në aeroport, ato priten nga persona të paidentifikuar që nuk përdorin emrat e tyre të vërtetë,” thotë gazetari investigativ Merin Maçi.

Në Shqipëri, këto vajzat vendosën në apartamente, airbnb apo qendra masazhesh që shërbejnë si mënyrë për të fshehur veprimtarinë e tyre. Klientët sigurohen përmes rrjeteve të mbyllura sociale dhe aplikacioneve të komunikimit të fshehtë. “Escort in Tirana” për një kohë të gjatë ka qenë një Web shumë i njohur në Kryeqytet, çdo njeri mund ta aksesojë dhe “porosisje” online vajzat.

Edhe pse në Shqipëri kjo nuk është e lejueshme mesa duket kjo nuk ka rendesi për përfituesit kriminal.

Çfarë tregojnë shifrat?

Vetëm në vitin 2024 dhe fillimin e vitit 2025, janë arrestuar 15 shtetase të huaja dhe 10 shtetas shqiptarë si pjesë e këtij rrjeti. Ndërsa rreth 90 vajza të tjera janë proceduar në gjendje të lirë, shumica prej tyre të huaja. Rastet më të sheshta thotë policia janë në qytete si Tirana Durrësi ose Vlora.

Operacionet e policisë janë shtuar në dy vitet e fundit, kryesisht pas ankesave të qytetarëve për zhurma dhe hyrje-dalje të dyshimta në banesa. “Policia ka përdorur të gjitha mjetet ligjore – përgjime, vëzhgime, infiltrime – për të zbuluar mënyrën e funksionimit të këtyre rrjeteve,” thotë Policia.

Kur drejtësia duket e verbër- Rasti i Fierit

Fenomeni i shfrytëzimit për prostitucion nuk njeh moshë. Në Fier, një çift pensionistësh u dënua me nga 7 vite burg për organizimin e rrjetit të prostitucionit në hotelin “Oda e Miqve”. Besiko dhe Nesti Golemaj drejtonin një zinxhir lokalesh dhe hotelesh që shërbenin për këtë veprimtari, duke përfshirë gra të martuara dhe të reja nga zona të ndryshme. Por këto dënime jo vetëm që nuk sjellin frenim, por janë shpesh herë me të mëdha se për krime të rënda! Çka e bën funksionimin e ligjit në Shqipëri jo pak absurd! Përhapja e këtij fenomeni duket se nuk është vetëm në raste të vajzave që udhëtojnë nga vende të botës, por edhe një formë që po përdoret në vend me viktima të cilët përballën me varfëri apo divorce që mbetën mes rrugevë dhe bien pre e këtij shfrytëzimi.

Legalizimi i prostitucionit, a është Shqipëria ende gati ?

Në tavolinën e Ministrit të Drejtësisë qëndron prej kohësh drafti i ri i Kodit Penal, i cili përfshin një propozim të guximshëm: legalizimin e prostitucionit dhe të shtëpive publike. Deri tani, ky draft është diskutuar shumë pak publikisht, por nëse miratohet, do të shënonte një kthesë në trajtimin e këtij fenomeni. Shumë vende europiane tanimë e kanë të rregulluar me ligj dhe lejojnë shtëpitë publike; Holanda, Zvicra apo Gjermania janë disa nga këto vende!

Ndërsa për shumë vajza Shqipëria është parë si një mundësi për fitim përmes prostitucionit, në prapaskenë fshihen rrjete kriminale që përfitojnë nga varfëria dhe mungesa e alternativave.

Dëshmitë e tyre janë një thirrje për ndihmë, për drejtësi dhe për ndërhyrje. Dhe ndërkohë që një kod i ri penal mund të ndryshojë qasjen ligjore, realiteti i sotëm mbetet i hidhur – një tregti me trupin që zhvillohet në heshtje, në zemër të qyteteve tona.

Në një vend ku heshtja dhe indiferentizmi janë kthyer në aleatë të abuzimit, tregtia e trupit nuk është më tabu, por një realitet i hidhur.

Nëse ky realitet nuk merret në konsideratë që të përballet me guxim, Shqipëria rrezikon jo vetëm të jetë një vend transitim por destinacion për trafikantët dhe ferr për viktimat.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button