Kosova

Në Hagë vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dëshmon ish-këshilltari i Wesley Clark

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, edhe të martën ka vazhduar dëshmia e ish-këshilltarit politik të gjeneralit amerikan Wesley Clark, John Stewart Duncan, në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Prokurori Matt Halling e përqendroi linjën e pyetjeve tek përfshirja e komandantëve të zonave në negociatat e 17 qershorit 1999 për marrëveshjen e demilitarizimit. Duncan tha se nuk është i mirë me emrat dhe nuk mund të japë komente të sakta pas 26 vitesh, por shtoi se nëse i referohet ndonjë fotografie, mund të ndihmojë në identifikim.

Kur iu përmend Bislim Zyrapi, dëshmitari u shpreh se nuk e kujton me saktësi, ndërsa për një fotografi ku shihej Xhavit Haliti, tha se ky nuk është personi që i ishte prezantuar me atë emër në Tiranë. Pas këtij momenti, seanca kaloi në private me kërkesë të tij, pa kundërshtime nga palët.

Në sallë ishin të pranishëm të gjithë të akuzuarit, ndërsa në fillim u shënuan probleme teknike me kompjuterin e gjyqtarit Christoph Barthe.

Mbrojtja ka filluar paraqitjen e provave më 15 shtator 2025, ku dëshmuan ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin, dhe ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Duncan nisi dëshminë më 22 shtator 2025.

DhSK ka caktuar 14 nëntorin 2025 si datë për përfundimin e paraqitjes së provave nga mbrojtja, ndërsa parashtresat përfundimtare dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara ndaj viktimave do të prezantohen deri më 22 dhjetor 2025.

Aktakuza ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020 dhe përbëhet nga dhjetë pika, duke i ngarkuar me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Katër të akuzuarit kanë deklaruar pafajësi që në paraqitjet e tyre të para në nëntor të vitit 2020.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button