Prokuroria Speciale dorëzon dosjen paraprake në rastin ndaj Thaçit dhe bashkëpunëtorëve në Hagë

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka dorëzuar dosjen paraprake në rastin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të akuzuarve të tjerë: Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Kilaj dhe Hajredin Kuçi.
Sipas dokumenteve të dorëzuara më 19 shtator, Prokuroria ka paraqitur përmbledhjen e provave që synon të përdorë për të vërtetuar akuzat, listën e dëshmitarëve si dhe materialet e propozuara që pritet të prezantohen gjatë gjykimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Thaçi, i cili ndodhet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020 për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, vitin e kaluar është përballur edhe me akuza për pengim të administrimit të drejtësisë. Lidhur me këtë rast, më 5 dhjetor 2024 në Kosovë u arrestuan Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj, të cilët një ditë më pas u transferuan në objektin e paraburgimit të DhSK-së. Po atë ditë, Thaçit iu dorëzua fletarrestimi në Hagë, ndërsa Hajredin Kuçit iu komunikua aktakuza dhe fletëthirrja për paraqitje më 9 dhjetor.
Sipas aktakuzës, Thaçi akuzohet se ka udhëhequr dhe marrë pjesë në përpjekje për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre, duke vepruar në bashkëpunim me “Grupin Fazliu”, “Grupin Smakaj” dhe “Grupin Kilaj”. Prokuroria pretendon se këto grupe janë koordinuar për të ndikuar mbi dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të privilegjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.
Në total, Thaçi përballet me tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave, tri akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë pengimi dhe mosbindje ndaj gjykatës, kurse Kuçi përballet me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.



