Ndahet nga jeta ish-ambasadori gjerman në Shqipëri, Werner Daum

Ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare ish-ambasadori gjerman në Shqipëri, Werner Daum, i cili shërbeu në vendin tonë gjatë viteve 1987-1990. Diplomati, i cili ndodhej në Tiranë për të marrë pjesë në inaugurimin e shtatores së dëshmorit të demokracisë Josif Budo në Kavajë, u gjet i pajetë në dhomën e tij të hotelit.
Werner Daum do të mbetet i paharruar për angazhimin e jashtëzakonshëm në mbështetje të shqiptarëve në një nga periudhat më të errëta të regjimit komunist. Gjatë një interviste të fundit për mediat, ai rrëfeu me emocion sfidat dhe luftën e tij të vetme kundër qeverisë së tij për t’u hapur dyert shqiptarëve drejt lirisë dhe shpresës.
Si ambasador, Daum hapi dyert e ambasadës gjermane për shqiptarët që kërkonin mbështetje dhe shpresë, duke u bërë një aleat i fuqishëm i popullit shqiptar në kohë të vështira.
Ndërkaq, komuniteti diplomatik dhe qytetarët shqiptarë nderojnë sot kujtimin e tij dhe kontributin e çmuar për lirinë dhe demokracinë në Shqipëri.