NATO: Nuk do të ketë vakuum sigurie në Bosnjë e Hercegovinë

NATO ka përcjellë një mesazh të qartë mbështetjeje për operacionin e Bashkimit Evropian “Althea” në Bosnjë e Hercegovinë, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të mandatit të këtij misioni në kuadër të Marrëveshjes së Berlinit.
Një zyrtar nga selia e Aleancës në Bruksel, në një deklaratë për agjencinë FENA, tha se “NATO nuk do të lejojë krijimin e një vakuumi të sigurisë në vend” dhe theksoi se stabiliteti i BeH-së është jetik për rajonin, Evropën dhe gjithë Aleancën Veriatlantike.
Deklarata vjen pas komenteve të ish-presidentit të Republikës Sërpska, Milorad Dodik, i cili paralajmëroi një vizitë në Moskë për të kërkuar nga Rusia veto në Këshillin e Sigurimit të OKB-së kundër vazhdimit të misionit të EUFOR-it. Dodik tha gjithashtu se do të kërkonte mbështetjen e Moskës për një referendum mbi pavarësinë e entitetit serb në BeH.
“Ne mbështesim fuqishëm sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës. Çdo kërcënim për shkëputje është destabilizues dhe i rrezikshëm. Ne mbështesim BeH-në dhe institucionet e saj shtetërore”, theksoi zyrtari i NATO-s.
Ai shtoi se Aleanca mbetet e përkushtuar ndaj partneritetit me BeH-në, duke forcuar dialogun politik dhe bashkëpunimin praktik përmes zyrës së NATO-s në Sarajevë dhe Njësisë për Mbështetje të Angazhimit Politik.
Sipas tij, gjatë këtij viti pritet të nisin disa programe të reja në fusha si lufta kundër terrorizmit, mbrojtja kibernetike, evakuimi ajror, policia ushtarake dhe menaxhimi i krizave. Deri më tani, aleatët e NATO-s kanë investuar mbi 8 milionë euro në një fond të posaçëm “Trust Fund” dhe kanë caktuar ekspertë për projekte të ndryshme.
Zyrtari vuri në dukje edhe bashkëpunimin e ngushtë NATO-BE, sidomos në çështje me interes të përbashkët si mbikëqyrja ajrore, mbrojtja kibernetike dhe lufta kundër terrorizmit.
Në fund, ai nënvizoi se Paketa për Ndërtimin e Kapaciteteve Mbrojtëse bazohet në përvojën e mirë të deritanishme në arsimin ushtarak dhe qeverisjen e mirë, ndërsa diskutimet me autoritetet e BeH-së për fusha të tjera të bashkëpunimit do të vijojnë.