Mungesë uji në Mitrovicë pas zvogëlimit të nivelit në kanalin “Ibër-Lepenc”

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka njoftuar se gjatë ditës së sotme do të ketë zvogëlim të nivelit të ujit në kanalin kryesor “Ibër-Lepenc”, gjë që mund të shkaktojë mungesë uji në disa pjesë të qytetit dhe fshatrave përreth.
Sipas njoftimit, si pasojë e këtij reduktimi, impiantet për trajtimin e ujit në Shipol dhe Balinc do të punojnë me kapacitet të kufizuar, duke ndikuar sidomos në zonat më të larta të Mitrovicës.
“Ekipet tona janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për normalizimin e furnizimit sapo të stabilizohet niveli i ujit në kanalin ‘Ibër-Lepenc’”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
Ky zhvillim vjen pas raportimeve se uji ka përfshirë punishten ku po ndërtohet ura e re e Ibrit për këmbësorë. Pronari i kompanisë ndërtuese, Jahir Nimani, ka akuzuar se brana është lëshuar qëllimisht nga Ujmani, duke shkaktuar dëme në pajisje dhe materiale ndërtimore.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende ndonjë reagim zyrtar lidhur me këto pretendime.



