Mitrovicë: Përmbytje në punishten e urës së re të Ibrit, pronari akuzon se uji është lëshuar qëllimisht nga Ujmani

Një sasi e madhe uji ka përfshirë punishten ku po ndërtohet ura e re e lumit Ibër në Mitrovicë gjatë natës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në pajisje dhe materiale ndërtimi.
Pronari i kompanisë ndërtuese, Jahir Nimani, ka deklaruar se prurjet e mëdha të ujit janë shkaktuar nga lëshimi i qëllimshëm i branës nga liqeni i Ujmanit, duke e cilësuar këtë si një akt sabotimi ndaj punimeve që janë në fazën përfundimtare.
“Uji ka hyrë në punishte dhe ka dëmtuar shumë nga pajisjet dhe materialet tona. Ne dyshojmë se brana është lëshuar me qëllim për të na shkaktuar dëme”, ka thënë Nimani.
Sipas tij, në vendngjarje kanë dalë edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës, të cilët janë duke hetuar rastin. Deri më tani, policia nuk ka dhënë ndonjë deklaratë zyrtare për këtë ngjarje.
Gazeta Express ka kontaktuar me zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, i cili ka udhëzuar që pyetjet të adresohen te Ndërmarrja Hidroekonomike “Ibër-Lepenc”.
Megjithatë, kontaktet me kryeshefin ekzekutiv të kësaj ndërmarrjeje, Faruk Mujka, kanë qenë të pasuksesshme.
Njoftimi i vetëm publik nga “Ibër-Lepenc” deri më tani është ai drejtuar Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”, ku bëhet e ditur se gjatë ditës së sotme do të ketë zvogëlim të nivelit të ujit në kanalin kryesor “Ibër-Lepenc”, gjë që mund të shkaktojë mungesë uji në zonat e larta të qytetit dhe fshatrat përreth.
“Si pasojë e zvogëlimit të nivelit të ujit, impiantet për trajtimin e ujit në Shipol dhe Balinc do të punojnë me kapacitet të reduktuar. Ekipet tona janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës”, thuhet në njoftimin e ujësjellësit.
Ndërmarrja “Ibër-Lepenc”, me seli në Prishtinë, është përgjegjëse për furnizimin me ujë të papërpunuar të industrisë, ujësjellësve dhe bujqësisë, si dhe për prodhimin e energjisë elektrike nga hidrocentrali i Ujmanit.
Liqeni i Ujmanit, i ndodhur rreth 25 kilometra nga Mitrovica, është krijuar me ndërtimin e digës mbi lumin Ibër për të siguruar furnizim të qëndrueshëm me ujë për popullsinë dhe industrinë në veri të vendit.



