Multimilioneri francez në Zvicër dënohet me 90,000 franga për tejkalim shpejtësie – Drejtësia përshtat gjobën sipas pasurisë

Një ndër 300 njerëzit më të pasur në Zvicër është dënuar me një gjobë të majme për tejkalim shpejtësie, duke nxjerrë në pah mënyrën se si drejtësia zvicerane përshtat ndëshkimin në bazë të gjendjes financiare të shkelësit, raporton albinfo.ch.
Multimilioneri francez, që jeton prej rreth 20 vitesh në Lozanë dhe përfshihet në listën e të pasurve të përpiluar nga revista prestigjioze “Bilanz”, u kap në gusht të vitit 2024 duke vozitur me 77 km/orë në një zonë ku shpejtësia maksimale e lejuar ishte 50 km/orë, sipas gazetës lokale “24heures”.
Për këtë shkelje, gjyqësori i kantonit Vaud e dënoi me 40 gjoba ditore prej 2,000 frangash secila – një dënim me kusht prej 80,000 frangash, me periudhë prove trevjeçare – si dhe një gjobë të menjëhershme prej 10,000 frangash. Në total, gjoba arrin në 90,000 franga.
Ky nuk është rasti i parë që biznesmeni përballet me drejtësinë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Tetë vjet më parë ai ishte dënuar për një shkelje të ngjashme me 60,000 franga gjobë me kusht dhe 10,000 franga gjobë të menjëhershme.
Në Zvicër, gjobat ditore përcaktohen sipas të ardhurave, pasurisë, stilit të jetesës dhe detyrimeve financiare të shkelësit, duke bërë që personat më të pasur të paguajnë gjoba më të larta, ndërsa për personat me të ardhura të ulëta dënimet mund të jenë më të rrepta, përfshirë edhe burgun.
“Gjykatësi përcakton shumën e gjobës sipas situatës personale dhe ekonomike të shkelësit, duke marrë parasysh të ardhurat, pasuritë, stilin e jetesës, detyrimet ndaj familjes dhe nivelin minimal të jetesës,” tha zëdhënësi i Prokurorisë së Vaud, Vincent Derouand.
Ligji zviceran parashikon që gjoba maksimale ditore mund të jetë deri në 3,000 franga, ndërsa minimumi 30 franga. Në rastet e dënimit me kusht mund të vendoset edhe një gjobë shtesë deri në 10,000 franga.